Marvin Çuni: S’pendohem për sakrificat, i fiksuar pas ëndrrës sime

Marvin Çuni i ka idetë e qarta për të ardhmen. Ai është 18 vjeç dhe aktualisht është pjesë e moshave te gjigandët gjermanë, FC Bajern Mynih, por synon që në te ardhmen të ngjisë me shpejtësi shkallët e karrierës.

Në një intervistë për rubrikën “Talenti Shqiptar” të faqes zyrtare të Federatës në internet fshf.org, Çuni tregon për veten dhe për synimet që i ka vënë vetes. 18-vjeçari ka luajtur disa ndeshje me ekipet kombëtare të Shqipërisë, ndërsa ka spikatur me fanellën kuqezi.

Ndër të tjera, mesfushori i talentuar rrëfen edhe sakrificat që ka bërë për futbollin, por edhe regjimin e tij ditor.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futbollin?

– Dëshira për të luajtur futboll ka nisur që në moshën 3-vjeçare. Shikoja vëllanë tim më të madh dhe babain teksa stërviteshin bashkë dhe më pas babai nisi të stërvitej dhe me mua. Ai është shumë i lidhur me këtë sport, pasi ka luajtur vetë futboll dikur. Unë gjithmonë e kisha një top me vete kudo që shkonim, familja ime është shumë sportive.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Ka qenë pikërisht babai im, ai ka qenë trajneri im i parë. Familja më ka mbështetur shumë në këtë rrugëtim.

– Si stërvitesh, si punon? Na trego një ditë tënden të zakonshmen me futbollin?

– Stërvitem dy herë në ditë. Në mëngjes bëjmë fitnes dhe ushtrime atletike, ndërsa pasdite bëjmë një seancë të plotë stërvitje me ekipin. Edhe ditët e pushimit unë i shfrytëzoj për t’u stërvitur.

Aktualisht jemi pa aktivitete për shkak të pandemisë Covid-19, por unë po stërvitem shumë që të jem në formë për sezonin e ri.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Suksesi nuk është gjithmonë ai që të tjerët shohin. Do të duhet të sakrifikosh të gjithë kohën e lirë. Më mbetet shumë pak kohë për familjen dhe miqtë e mi. Nuk mund të qëndroj jashtë për shumë orë pasditeve, pasi të nesërmen në mëngjes duhet të paraqitem në stërvitje.

Më parë, zakonisht ishin prindërit që më shoqëronin për në stërvitje me makinë pas punës, por ishte stresuese. Tani për fat të mirë mund t’i jap vetë makinës. Për t’u bërë një futbollist i mirë duhet të sakrifikosh shumë kohë, duhet të jesh gati në aspektin psikologjik dhe duhet të kesh durim.

Sidoqoftë, asnjëherë nuk jam penduar për çdo sakrificë dhe jam i fiksuar pas realizimit të ëndrrës sime për t’u bërë futbollist profesionist.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Synimi im është të kaloj në skuadrën e parë të Bajernit të Mynihut ose të luaj në ligën e parë. E njëjta gjë edhe për Kombëtaren, synoj të luaj në skuadrën e parë dhe jam gati të punoj shumë për t’ia arritur. E di që konkurenca është shumë e fortë, por jam gati të matem me të gjithë në fushën e lojës.

– Cila është motoja jote ose mesazhi për bashkëmoshatarët e tu?

– Të luash futboll është kënaqësi dhe argëtim, por duhet të ruash përqendrimin dhe të ndjekësh gjithmonë objektivat që i ke vënë vetes. Nuk duhet të dëgjosh ata, të cilët duan t’ju dëmtojnë.

Asgjë nuk vjen nga hiçi. Duhet gjithmonë të punosh dhe të mbash parasysh objektivat e tu.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Kombëtarja shqiptare ka një skuadër shumë të fortë dhe futbollistë mjaft të mirë. Ka aq shumë lojtarë të cilët mund t’i përmendja dhe që kanë shkruar historinë e futbollit shqiptar. Gjithsesi, modeli i lojtarit të cilit i jam referuar gjithmonë është Kristiano Ronaldo.