Shuhet Safet Berisha, Presidenti i FSHF ngushëllon - FSHF

Shuhet Safet Berisha, Presidenti i FSHF ngushëllon

Është ndarë nga jeta sot në moshën 67 vjeçare, ish-futbollisti i shquar shqiptar Safet Berisha, ish-kapiteni i ekipit kombëtar dhe skuadrës së Partizanit. Ai ka qenë një ndër futbollistët më të shquar të brezit të tij. Në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit, Komitetit Ekzekutiv dhe ekipit kombëtar Presidenti Armand Duka i ka dërguar këtë mesazh ngushëllimi për familjen e të ndjerit

“Mësova me hidhërim të thellë, lajmin për humbjen e Safet Berishës, ish futbollistit dhe kapitenit të shquar të Partizanit dhe ekipit kombëtar të Shqipërisë. Figura dhe vlerat e tij në futbollin shqiptar, kanë qenë dhe do të mbeten gjithmonë të spikatura. Ai ka qenë një personalitet tepër i vlerësuar në futbollin shqiptar të viteve ’70. Karriera e tij e gjatë, është e mbushur me arritje dhe suksese si në futbollin shqiptar ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Në emër të komunitetit të futbollit në Shqipëri, të FSHF, Komitetit Ekzekutiv, ekipit kombëtar të futbollit dhe në emrin tim personal shpreh ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe”- përfundon mesazhi i Presidentit Duka.

Safet Berisha ka lindur më 11 nëntor 1949, në qytetin e Durrësit në fundin e viteve ’60 është aktivizuar me skuadrën e Partizanit me të cilën ka vazhduar një karrierë të gjatë dhe të suksesshme, duke u shpallur disa herë kampion kombëtar dhe fitues i Kupës së Republikës. Ka luajtur 20 ndeshje me skuadrën kombëtare në një periudhë të gjatë kohore prej 11 vjetësh, duke qenë gjithmonë i pranishëm në formacionin bazë dhe më pas edhe si kapiten i saj. Ndeshjen e parë e ka zhvilluar më 13 dhjetor 1970 në ndeshjen Turqi-Shqipëri, ndërsa të fundit më 18 nëntor 1981.