Është luajtur sot në stadiumin “KF Vora“ ndeshja finale e Kategorisë së Tretë mes Basanisë dhe Memaliajt.
Dy skuadrat u renditën të parat në Grupet A dhe B në përfundim të sezonit të rregullt, duke siguruar edhe ngjitjen për në Kategorinë e Dytë sezonin e ardhshëm, ndërsa sot u përballën në këtë duel të fundit sezonal për të shpallur ekipin fitues të Kategorisë së Tretë.
Finalja u fitua nga Basania me rezultatin e thellë 3-0. Pjesa e parë e takimit u mbyll 0-0, ndërsa Basania dominoi ndeshjen në fraksionin e dytë dhe realizoi tre gola duke fituar edhe titullin kampion të Kategorisë së Tretë.
Pas përfundimit të ndeshjes finale Basania – Memaliaj, u zhvillua edhe ceremonia e dorëzimit të trofeut të titullit kampion në Kategorinë e Tretë, ku i pranishëm ishte anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Gjergj Petro dhe Specialisti i SHRFT-së, Moris Merhori.
Kupa për skuadrën e Basanisë u dorëzua nga anëtari i Komiteti Ekzekutiv të FSHF-së, Gjergj Petro.






















