U hodh këtë të hënë, në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, shorti për kalendarin e kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin futbollistik 2026/2027. Në ceremoninë e organizuar nga Federata e Futbollit morën pjesë përfaqësuesit e klubeve të “Abissnet Superiore”, si edhe përfaqësues të medias.
Edicioni i 88-të i kampionatit elitar shqiptar do të nisë më 22 gusht me disa përballje mjaft interesante, teksa shorti rezervoi duele që premtojnë spektakël që në javën e parë.
JAVA E PARË
Partizani – Teuta
Laçi – Elbasani
Vllaznia – Skënderbeu
Dinamo – Vora
Egnatia – Tirana
Edicioni 2026/2027 i “Abissnet Superiore” do të zhvillohet fillimisht me tre faza të rregullta. Në përfundim të tyre, skuadrat do të ndahen në fazat play-off dhe play-out, ku pikët e grumbulluara gjatë sezonit të rregullt do të përgjysmohen.
Në fazën play-off do të garojnë gjashtë skuadrat e renditura në vendet 1-6, të cilat do të zhvillojnë ndeshje vajtje-ardhje për 10 javë për përcaktimin e ekipit kampion, si edhe të renditjes përfundimtare.
Ndërkohë, në fazën play-out do të marrin pjesë katër skuadrat e renditura në vendet 7-10. Këto ekipe do të zhvillojnë ndeshje sipas formulës vajtje-ardhje-vajtje, me secilën skuadër që do të luajë gjithsej 9 ndeshje. Ekipi i renditur në vendin e 10-të do të bjerë direkt nga kategoria, ndërsa skuadra e renditur në vendin e nëntë do të luajë një ndeshje play-off me ekipin humbës të finales së play-off-it të Kategorisë së Parë, mes skuadrave të renditura në vendet 3-4-5-6.
Më poshtë gjeni kalendarin e plotë të tre fazave të rregullta të kampionatit “Abissnet Superiore” për sezonin 2026/2027.
Kalendari i kampionatit Abissnet Superiore 2026-27


















