Intervista e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka për televizionin “SCAN” - FSHF

Intervista e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka për televizionin “SCAN”

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka dhënë një intervistë sot në mbrëmje për televizionin “SCAN”, ku ka folur për ndërprerjen e aktiviteteve sportive për shkak të pandemisë Covid-19 dhe dëmet që ka sjellë kjo situatë e paprecedentë për komunitetin e futbollit.
Gjithashtu, Presidenti Duka ka theksuar faktin se Federata i ka qëndruar pranë në këtë moment të vështirë industrisë së futbollit, duke paguar punonjësit e futbollit, futbollistët dhe trajnerët përmes paketës së ndihmës financiare me dy paga mujore. Sakaq, Presidenti i FSHF-së ka folur edhe për bashkëpunimin me qeverinë shqiptare, duke hedhur ide konkrete se si mund të mbështetet futbolli në mënyrë që të kthehet në një degë të rëndësishme të ekonomisë shqiptare.
Covid 19 – “Padyshim që si çdo fushë e jetës edhe futbolli është prekur, gjithçka ka ndaluar, ka ndaluar topi, ka ndaluar dhe ajo që prodhon loja e futbollit. Është prekur ekonomikisht, është prekur sportivisht, pra është prekur nga të gjitha drejtimet. Një dëm që nuk është lehtësisht i rikuperueshëm. Është akoma më i vështirë për t’u rikuperuar dëmi në futboll se sa në fusha të tjera të ekonomisë, industrisë apo biznesit”.

Ndihma financiare – “Në fakt, ne kemi paguar gjithë futbollistët, trajnerët apo punonjësit e klubeve, të cilët nuk kanë një të ardhur tjetër me një minimum jetik në këtë periudhë ndërprerjeje, jo me një, por me dy paga mujore prej 30 mijë lekë të reja në muaj. Padyshim që ka qenë një ndihmë për një pjesë të madhe dhe ka qenë një shenjë solidariteti e komunitetit të futbollit.
Një gjë faktikisht e pazakontë për federatat sportive, sepse duke qenë taksapagues kjo duhet të ishte një gjë që duhet të bëhej nga buxheti i shtetit, për të cilin ata paguajnë taksa.
Për ne gjithashtu ka qenë një vështirësi financiare, një vështirësi të cilën nuk e mbyllim dot me buxhetin e vitit 2020, por do të detyrohemi ta paguajmë ta marrim hua nga bankat dhe ta paguajmë nga buxhetet e ardhshme në vitet në vazhdim”.

Mbështetja e shtetit – “Unë mendoj dhe jam i kënaqur që kjo periudhë pandemie ka kaluar, ne po rikthehemi në futbollin e luajtur, jemi rikthyer në stërvitje dhe do të rifillojmë aktivitetet. Të paktën në të njëjtat kushte qeveria ka pak çfarë të bëjë tani, por gjithsesi për zhvillimin e futbollit faktor kryesor në çdo vend janë politikat shtetërore, nuk mund të jenë vetëm politikat apo strategjitë e një federate sportive.
Sepse roli i një federate sportive është organizimi në mënyrën e vet të pavarur të lojës së futbollit, por strategjitë dhe politikat për zhvillimin e saj pa një politikë shtetërore janë të pamundura.
Pa një bazë ligjore, që zhvillon jo vetëm futbollin, por çdo degë, çdo industri dhe çdo ekonomi është e pamundur që të kesh një zhvillim të mjaftueshëm bashkëkohor.
Kështu që qeveria mund të bëjë shumë për të siguruar një të ardhme të sigurt për futbollin dhe për ta kthyer atë në një biznes të mirëfilltë, që të sigurojë të ardhura dhe të riprodhojë vetveten, të afrojë sa më shumë pjesëmarrës në lojë, sa më shumë fëmijë që luajnë futboll e që sa më shumë të sjellë kënaqësi për teleshikuesit. Pse jo të jetë dhe një degë e rëndësishme e ekonomisë, Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që futbollin ta kthejë në një degë të rëndësishme”.

Kombëtarja – “E njëjta gjë edhe për Kombëtaren, nuk mund të jetë spontane, duhet të jetë fryt i një strategjie shtetërore, nuk mund të jetë vetëm e nji federate. Është një nga gjërat më të mirat që kanë prekur shqiptarët, rezultatet e një ekipi Kombëtar me kualifikimin për në finalet e EURO 2016 apo edhe rezultatet e tjera më pas, por jo të atij niveli.
Në këtë periudhë nga pikëpamja sportive, patjetër që u ndërprenë ndeshjet, u ndërprenë miqësoret, përgatitjet, futbollistët janë stërvitur më pak dhe sportivisht do të kemi mbase një nivel më të ulët, por duke pasur parasysh që rikthimi tashmë i detyrueshëm për ndeshjet zyrtare në shtator uroj që të rimarrim formën që kishim para pandemisë.
Dhe ne do të luajmë ndeshjet e Nations League, ku kemi pretendimet tona apo objektivin tonë për të dalë të parët në grup”.

Investimet – “Edhe në këto kushte FSHF ka investuar shumë për përmirësimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri, për përmirësimin e infrastrukturës së fushave të stërvitjes, edhe në disa stadiume.
Në stadiume në bashkëpunim me qeverinë shqiptare në Elbasan, në Shkodër, në Kukës dhe në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’, por është e pamjaftueshme. Edhe kjo është në gjë e pazakontë, që një federatë futbolli të marrë lidershipin e ndryshimit të infrastrukturës sportive në vend.
Përsëri edhe këtu duhet të jenë edhe vetë klubet, pushtetit vendor, qeveria qendrore që duhet ta mbështesin më shumë ndryshimin e infrastrukturës.
Kjo periudhë pandemie realisht nuk i ka ndërprerë investimet dhe ato fonde që ne kemi dhënë për paga, për punonjësit e futbollit apo për futbollistët nuk kanë prekur buxhetet e investimeve.
Projektet do të vazhdojnë siç kishin nisur, qoftë stadiumi i Kukësit, qoftë Shtëpia e Futbollit apo projektet që ne kemi për ndryshime të tjera, për riparime apo rikonstruksione të fushave dhe projektet e së ardhmes, nuk janë prekur dhe nuk do të preken.

Post-pandemia – “Padyshim që është paprecedentë në histori që një pandemi e tillë të ndërpresë çdo aktivitet në vend. Kjo periudhë na ka dëmtuar, na ka dëmtuar ekonomikisht, por për mua dëmi më i madh është ai sportiv. Fakti që futbollistët e të gjitha niveleve, profesionistë, amatorë, fëmijët nuk e kanë shumë të lehtë që të kapin të njëjtën formë sportive. Ndërprerja patjetër që ka lënë shenjën e saj dhe unë uroj ta kalojmë sa më parë, por nuk është e lehtë. Ne në bashkëpunim me klubet kremi programuar rifillimin e aktiviteteve, po programojmë aktivitetin e vitit të ardhshëm dhe uroj të mos kemi rindërprerje, siç edhe përflitet ndonjëherë, por dëmi më i madh është që ne nuk do të kemi mbështetjen e spektatorëve nëpër stadiume.
Nuk është se ne jemi një vend me një numër shumë të madh spektatorësh, por gjithsesi kemi një mbështetje spektatorësh, kemi një mesatare prej rreth 3-4 mijë spektatorësh për ndeshje, e cila do të na mungojnë, jo vetëm për kënaqësinë e tyre, por edhe për të mbështetur dhe për të shtyrë përpara cilësitë sportive të futbollistëve. Urojmë që vitin e ardhshëm të rikthehemi me spektatorë.
Një dëm tjetër që sjell mungesa e spektatorëve edhe ekonomik për klubet, që gjithsesi zë një peshë rreth 15 % të buxhetit të kubeve, kështu që nuk është një dëm i vogël ekonomik për ta”.

Politikat e zhvillimit – “Nuk mund të themi që janë anashkaluar apo nuk janë diskutuar, disa prej këtyre çështjeve janë në diskutime, por dy shtyllat kryesore, që do ta bëjnë Shqipërinë me një futboll të zhvilluar janë ndryshimi i infrastrukturës dhe ndryshimi i ligjit për sponsorizimin.
Ia kam thënë edhe Kryeministrit Edi Rama edhe anëtarëve të tjerë të qeverisë, me një investim minimal të qeverisë, nëse na mbështet në këtë iniciativë, të ndërtojmë 100 fusha futbolli brenda 3 viteve të ardhshme në Shqipëri dhe ne do të jemi gjithmonë një vend pretendent për çdo lloj gare ndërkombëtare në futboll.
Shqipëria realisht e dashuron futbollin, shqiptarët e dashurojnë futbollin dhe e luajnë futbollin. Futbolli kërkon sakrificë dhe ne jemi njerëz të sakrificës. Kjo do të na bëjë shumë konkurrentë në tregun e futbollit ndërkombëtar.
Minimalisht qeveria të na mbështesë në këto dy drejtime: të ndërtojmë infrastrukturë për fëmijët me 100 fusha futbolli dhe e ne e kemi deklaruar se 1/3 e këtij projekti e financon FSHF-ja nëpërmjet donacioneve të FIFA-s dhe UEFA-s, 1/3 qeveria dhe 1/3 pushteti vendor si edhe gjithashtu të ndryshojë ligjin për sponsorizimet.
Vetëm me këto dy gjëra unë jam i sigurt dhe ju garantoj se Shqipëria në vitet e ardhshme është një vend konkurrent, jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë, në kompeticionet ndërkombëtare”.

Marëdhëniet me qeverinë – “Marëdhëniet e mia dhe të FSHF-së me qeverinë janë shumë korrekte. Ne kemi bërë projekte të përbashkëta, e kemi falënderuar për projektet e përbashkëta, siç është projekti i stadiumit të Kukësit që ne po e bëjmë më qeverinë, siç është projekti për Shtëpinë e Futbollit, teksa qeveria shqiptare i ka dhuruar tokën FSHF-së, por në të njëjtën kemi qenë kritik dhe jemi për zhvillimin e lojës së futbollit, kemi qenë kritik për atë që ne mendojmë se qeveria duhet të bënte ndryshe. Për ndryshimin e infrastrukturës sportive në Shqipëri, për ndryshimin e ligjeve në shërbim të futbollit, kemi qenë kritik për sjelljen e qeverisë në periudhën e pandemisë, kur jo vetëm që njerëzit e futbollit nuk u ndihmuan ekonomikisht, por në një lloj mënyre u anashkaluan deri në injorim të tyre. Futbolli është një taksapagues, futbollistët janë taksapagues dhe meritojnë shpërblimin e qeverisë, jo mëshirën e saj”.