Nga Sampi, te Palermo e më pas te Kombëtarja, Doda tregon rrugëtimin drejt futbollit të madh - FSHF

Nga Sampi, te Palermo e më pas te Kombëtarja, Doda tregon rrugëtimin drejt futbollit të madh

Pasi ka milituar në ekipet Kombëtare të moshave U-17 dhe U-19, Masimiliano Doda mori ftesën nga Kombëtarja U-21 për dy ndeshjet e qershorit të Shqipërisë ndaj Andorrës dhe Bullgarisë. Mbrojtësi i djathtë, i rritur në Itali si futbollist, aktivizohet aktualisht te skuadra e Palermos dhe shihet si një nga talentet premtuese që kanë prodhuar përfaqësueset kuqezi vitet e fundit.

Masimiliano ishte vetëm 7 vjeç kur familja e tij emigroi në Itali. Vetëm një vit më pas prindërit e regjistruan në një skuadër futbolli dhe në moshën 12-13-vjeçare, kur ai kishte filluar të spikaste, erdhi oferta nga Sampdoria. Doda do të luante me të gjitha ekipet zinxhir të Sampdoria deri në moshën 18-vjeçare kur ai vendosi të transferohej te Palermo, ku aktualisht është pjesë e skuadrës së parë. Ndërkaq, ai ishte bërë pjesë e ekipit Kombëtar U-17 dhe ishte evidentuar ndërkohë nga ekspertët e futbollit të FSHF-së, të cilët e bënë pjesë të planeve të tyre. Në intervistë e dhënë për rubrikën “Talenti Shqiptar” në Fshf.org, Doda rrëfen karrierën e tij dhe tregon se si u frymëzua për të ndjekur pasionin e futbollit nga babai i tij, Aleksandër Doda, i cili ka luajtur dikur me ekipin e Kukësit, por edhe nga Milani i Kakasë. Masimiliano Doda është me këmbë në tokë kur flet për objektiva, ndërkohë që shpreson të punojë shumë për të merituar në të ardhmen ftesa të tjera nga ekipet Kombëtare.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll? Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Dëshira dhe pasioni për futbollin ka lindur qysh kur kam qenë i vogël në Shqipëri. Shkoja të shikoja babanë tim kur luante ndeshje me ekipin e Kukësit. Përveç kësaj asokohe unë ndiqja shumë ndeshjet e Milanit të Kakasë dhe mendoj se që aty lindi një dëshirë edhe më e madhe që unë të merresha me futbollin seriozisht. Njerëzit që kanë besuar gjithmonë tek unë ishin padyshim familjarët e mi, të cilët më kanë mbështetur pa kursim në këtë aventurë.

– Tashme je pjesë e ekipeve Kombëtareve të moshave. Si është marrëdhënia juaj me grupin dhe trajnerin në Kombëtare? Po për ecurinë me klubin çfarë mendon? A je i kënaqur?

– Marrëdhënia ime me grupin në ekipin Kombëtar U-21 është mjaft e mirë. Shumë prej lojtarëve që janë tashmë pjesë e Shpresave unë i njoh prej vitesh, pasi kam luajtur me ta në ekipet Kombëtare të moshës U-19 dhe U-17. Besoj se jemi një grup shumë i mirë lojtarësh aktualisht, edhe me trajnerin Bushi mund të them se kam marrëdhënie shumë të mira. Ai më ka dhënë besim dhe mundësinë për të treguar vlerat e mia si futbollist në sfidat e fundit të Kombëtares U-21 dhe për këtë i jam mirënjohës.

Për ecurinë me klubin mendoj se synimi i këtij sezoni është të kalojmë nga Serie C në Serie B dhe shpresojmë gjë gjithçka të shkojë sipas planeve. Jam shumë i kënaqur sepse klubi i Palermos më ka dhënë shumë mundësi e besim e unë shpresoj që t’ua shpërblej në fushë me paraqitje të mira, sigurisht edhe duke marrë sa më shumë ftesa njëkohësisht nga ekipet Kombëtare të Shqipërisë, që kanë një vlerë të jashtëzakonshme për mua.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja e moshave dhe debutimi me ngjyrat kuqezi?

– Momenti kur mora ftesën e parë nga ekipet Kombëtare të moshave të Shqipërisë ishte thjesht fantastik për mua, edhe pse isha ende i vogël. Për herë të parë unë jam thirrur nga ekipi Kombëtar U-17, ishte im atë që më dha lajmin i pari dhe ishte një ndjesi tejet e madhe gëzimi. Kam debutuar me trajnerin Mustedanagiç dhe më dukej e pabesueshme kur kam zbritur në fushë, ka qenë një emocion i papërshkrueshëm.

– Si e shikoni të ardhmen e ekipeve Kombëtare duke pasur parasysh brezin e lojtarëve që kemi aktualisht?

– Mendoj që e ardhmja e ekipit Kombëtar është e sigurt, pasi vitet e fundit niveli i cilësisë ka ardhur në rritje. Ka shumë lojtarë të talentuar që aktivizohen jashtë vendit, por edhe në kampionatin shqiptar, të cilët kanë vlera të mëdha dhe premtojnë shumë. Besoj se Kombëtarja shqiptare në të ardhmen do të jetë një skuadër mjaft e fortë dhe që mund të arrijë rezultate mjaft të mira në kampionatet Europiane, pse jo edhe në kampionatin Botëror.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani? Me kombëtaret e moshave dhe me klubin.

– Me Kombëtaren ka qenë padyshim momenti kur kam marrë ftesën e parë për të veshur fanellën kuqezi. Sigurisht, edhe thirrja nga ekipi Kombëtar U-21 ka qenë një tjetër moment kulminant për mua dhe mjaft i lumtur, pasi ka qenë një nga objektivat e mi qysh i vogël.

Ndërsa momenti më i bukur me klubin ishte kur fituam kampionatin e kaluar, por edhe kur debutova në nivelin profesionist këtë sezon kundër Ternanës kam qenë shumë i lumtur.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Sakrifica për futbollin patjetër që kam bërë shumë. Mbaj mend që kur isha i vogël, sapo dilja nga shkolla nuk kisha kohë as të haja një vakt normal, por merrja diçka të shpejtë në dorë dhe vrapoja të kapja trenin, që më dërgonte për 30 minuta në kampin stërvitor të Sampdorias. Në një farë mënyre unë nuk dua t’i cilësoj si sakrifica, pasi nëse të pëlqen shumë futbolli është e natyrshme që do të duhet të bësh gjithçka për të arritur objektivat dhe ëndrrat e tua.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Dua që objektivat t’i marr me radhë dhe hap pas hapi. Synimi i parë është që të fitoj titullin kampion me Palermon këtë sezon dhe t’u tregoj të gjithëve se sa vlej si futbollist. Ndërsa me Kombëtaren natyrisht synoj të luaj sa më shumë dhe sa më mirë me ekipin Kombëtar U-21 që në të ardhmen të mund të marr edhe ftesën për të luajtur me Kombëtaren A.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale? Ose kush është modeli yt në futboll?

– Idhulli im në Kombëtaren shqiptare është padyshim Elseid Hysaj. Ndërsa në futbollin ndërkombëtar shembujt e mi janë braziliani Dani Alves, të cilin e admiroj, por edhe yllin e Interit, Achraf Hakimi.