Fjala e Presidentit Duka në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme Statutore të FSHF - FSHF

Fjala e Presidentit Duka në Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme Statutore të FSHF

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Jashtëzakonshme Statutore e FSHF, që u zhvillua përmes platformave online e ku u diskutuan dhe miratuan ndryshimet e reja në statut.

Në fjalën e tij të mbajtur në këtë asamble, Presidenti Duka tha se drafti i paraqitur për miratim është në përputhje të plotë me statutet tip të Federatave europiane e botërore si dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Gjithashtu, drafti që është bazuar mbi praktikat më të mira ndërkombëtare, përfaqëson frymën e barazisë, solidaritetit, fair-play e transparencës në organizatë, duke garantuar ndarjen e saktë të pushteteve dhe pavarësinë organizative të saj. Statuti i ri është një hap cilësor për FSHF-në, kryesisht për përfaqësimin më të mirë të të gjithë aktorëve në organizatë, barazimin e futbollit profesionist me atë amator në përfaqësim, si dhe përfaqësimin e futbollit të femrave dhe fëmijëve; dhënien e më shumë kompetencave vendimmarrëse Asamblesë, nëse në Statutin e vjetër Komisionet Juridike emëroheshin nga KE, në këtë draft parashikohet votimi i tyre në Asamblenë e Përgjithshme; përmirësimin e pavarësisë organizative të FSHF, dhe shkëputur atë dhe anëtarët e saj akoma më shumë nga ndikimet e drejtpërdrejta politike.
Më tej, Presidenti i FSHF-së u shpreh se me të dhënat që disponojmë deri tani përllogaritet një impakt financiar rreth 45 milion euro që futbolli ka në ekonomi, si shpenzime direkte, dhe indirekte në shëndetësi dhe aspektin social, veçanërisht mbajtjen e të rinjve në sistemin arsimor dhe jashtë praktikave penale.
“Por jemi të vetëdijshëm që të dhënat tona janë vetëm një pjesë e realitetit, i cili nuk përfshin në studim edhe mijëra të rinj që luajnë futboll e që ne po i bëjmë pjesë të programeve tona zhvillimore siç është edhe futbolli 5×5 apo 9×9. Gjithashtu, me UEFA-n sapo kemi dakordësuar që ky studim mbi impaktin që futbolli ka në ekonominë tonë, të shtrihet edhe në nivel klubi, ku do marrim në skaner një grup klubesh për të parë edhe më në bazë nivelin e kontributit që ne japim si futboll e si industri. Në pak vite, vlera 45 milion do potencohej disa herë. Kjo nuk është as hamendje as dëshirë, por fakt, siç sot futbolli në Sllovaki, me një popullsi të ngjashme e standarde jo të paarritshme, kontribuon ne ekonomi rreth 170 milion euro fale vëmendjes së shtetit”, – tha Duka, duke theksuar se jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një fond të rregulluar dhe një kuadër ligjor për sportin.
Sakaq, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar foli edhe për implementimin e projektit të “100 fushave”, duke përcaktuar kështu edhe prioritetet e para.
“Jemi të vetëdijshëm, që ky projekt ambicioz do të kërkojë shumë përkushtim. Por njëkohësisht jemi të bindur se ai do të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e infrastrukturës, duke synuar rritjen e cilësisë sportive. Qeveria nuk ka denjuar as ta lexojë projektin tonë, përtej kësaj Ministria jonë e famshme e Arsimit dhe Sportit është nxituar të na kthej përgjigje negative. Ne do ta vazhdojmë projektin, dhe meqenëse qeveria nuk përgjigjet ne do të mbështesim me 50% të investimit çdo aplikues klub, bashki apo person privat që dëshiron të ndërtojë një fushë të re futbolli me përmasa standarde. E përsëris, të re dhe jo rikonstruksion, pasi qëllimi jonë është të shtojmë inventarin e fushave. Numri në rritje i fëmijëve, dëshira e pasioni i madh i tyre për të luajtur futboll nuk mund të refuzohen siç bën MAS. Ne do ti përkrahim e mbështesim me shumë kujdes e kënaqësi”, – tha ndër të tjera Presidenti Duka.

Më poshtë fjala e plotë e Presidentit të FSHF-së:

Të nderuar anëtarë të Asamblesë!
I nderuar përfaqësuesi i UEFA-s z. Yann Haffner!
I nderuar përfaqësuesi i FIFA-s z. z. Nodar Akhalkatsi!
I nderuar President i FFK Agim Ademi!
I nderuar përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit z. Arben Beqiraj!
Të respektuar përfaqësues së medias!
Jemi mbledhur sot në këtë asamble për herë të dytë në kushte të pazakonta virtuale dhe uroj që të jetë e fundit dhe në asamblenë e radhës të takohemi fizikisht për të debatuar e diskutuar siç jemi mësuar gjithmonë.
Ky Covid i mallkuar e i rrezikshëm ka shkaktuar fatkeqësisht edhe kufizime të mëdha. Bota është goditur nga kjo fatkeqësi, e cila ka patur pasoja të mëdha në psikologjinë, ekonominë dhe zhvillimet e tjera të planetit. Edhe futbolli, sporti ynë i dashur, ka marrë goditje të rënda. Ato ndjehen thellë përditë, ashtu siç ndjehen pasojat e regjimit që ka shkaktuar pandemia.
Por përpjekjet tona, pavarësisht vështirësive të krijuara nuk do të rreshtin, për të vazhduar punën, për të vijuar komunikimin dhe për të marrë vendime në të mirë të futbollit, në të mirë të lojës tonë të dashur. Ne jemi këtu edhe për të treguar, se do të jemi gjithmonë bashkë dhe nuk do të ndalemi përpara asnjë vështirësie që do të na dalë.
Të nderuar anëtarë!
Gjatë periudhës midis dy Asambleve ka patur shumë ngjarje dhe intensitet, sa realisht të duket sikur kanë kaluar vite dhe jo thjesht disa muaj. Na u desh që të zhvillonim në limite kohore të gjitha aktivitetet futbollistike të edicionit të kaluar, i cili mund të konsiderohet si krejtësisht i veçantë për ecurinë dhe problematikën e krijuar.
Ishim nga të paktat Federata që rifilluam e përfunduam çdo garë të rriturish e të rinjsh, ose më mirë të themi nuk anuluam apo ndërpremë asnjë garë. Dhe kjo, falë mirëkuptimit, sakrificave dhe përkushtimit të futbollistëve, trajnerëve, stafeve dhe veçanërisht të drejtuesve të klubeve, që mbajtën mbi supe barrën dhe vështirësitë e krijuar nga kufizimet, të cilët gjej rastin këtu t’i falënderoj të gjithë, së bashku me gjyqtarët dhe zyrtarët të cilët me përkushtim dhe seriozitet siguruan zbatimin e protokolleve të zhvillimit të ndeshjeve.
Mbyllja e shpejtë e edicionit futbollistik, u shoqërua edhe me paraqitjen plot dinjitet dhe profesionalizëm të klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Si asnjëherë tjetër, të katër skuadrat pjesëmarrëse Tirana, Teuta, Kukësi dhe Laçi kaluan nga një tur. Dhe më shumë se kaq, këtë e arritën falë lojërave shumë të mira. Një tjetër arsye që na bën të jemi të bindur se futbolli shqiptar, në të gjitha nivelet, po njeh vetëm rritje. Dhe kjo na bën krenarë për punën e bërë.
Edicioni i ri, i nisur me vonesë, po tregon se nëpër klube punohet mirë. Shohim mjaft element të rinj që spikasin duke krijuar profilet e tyre dhe nga ana tjetër prodhohet lojë dhe rezultat. Fatkeqësisht, mungesa e tifozëve i penalizon futbollistët dhe ekipet për të dhënë më të mirën e tyre por ne shpresojmë shumë që situata të përmirësohet dhe gradualisht, ne të kemi praninë e tyre në stadium. E përmenda më lart se kampionati filloi me vonesë. Kjo ndodhi për shkak të kërkesave të drejta të Ligës Profesioniste, drejtuar qeverisë. Duke mbështetur këto kërkesa, që personalisht mendoj se janë një bazë e mirë për zhvillimin e sportit në Shqipëri dhe një përpjekje për të zhdukur njëherë e mirë informalitetin, Federata e Futbollit ka bërë detyrën e saj ndaj familjes së futbollit. Personalisht e kam ndjekur nga afër dhe kam qenë pjesë e këtij procesi, duke dhënë ndihmën time në zgjidhjen e tij në favor të sportit. Premtimi që kemi marrë nga Kryeministri në emër të qeverisë, ka qenë pozitiv dhe ne shpresojmë shumë që ai të realizohet sa më shpejt. E deklaroj publikisht, se miratimi i “Ligjit të Sponsorizimeve” sipas propozimit tonë, jo vetëm që do të bëjë të funksionojë atë që nuk ka funksionuar prej afro 30 vjetësh në sport, por do të hapë një faqe të re për të, në Shqipëri. Në pak vjet sporti do të shndërrohet në një ekonomi të fortë, që gjeneron të ardhura dhe jo në një ‘lypsar të rëndomtë’, që shtrin dorën për të mbijetuar. E kam përsëritur disa herë: ne nuk kërkojmë lëmoshë, por atë që na takon ne dhe fëmijëve të gjithë Shqipërisë.
Me të dhënat që ne kemi deri tani përllogaritet një impakt financiar rreth 45 milion euro që futbolli ka në ekonomi, si shpenzime direkte, dhe indirekte në shëndetësi dhe në aspektin social, veçanërisht mbajtjen e të rinjve në sistemin arsimor dhe jashtë praktikave penale. Por jemi të vetëdijshëm që të dhënat tona janë vetëm një pjesë e realitetit, që nuk përfshin në studim edhe mijëra të rinj që luajnë futboll e që ne po i bëjmë pjesë të programeve tona zhvillimore, siç është edhe futbolli 5×5 apo 9×9. Gjithashtu, me UEFA-n sapo kemi dakordësuar që ky studim mbi impaktin që futbolli ka në ekonominë tonë, të shtrihet edhe në nivel klubi, ku do marrim në skaner një grup klubesh për të parë edhe më në bazë nivelin e kontributit që ne japim si futboll e si industri. Në pak vite, vlera 45 milion do potencohej disa herë. Kjo nuk është as hamendje as dëshirë, por fakt, siç sot futbolli në Sllovaki, me një popullsi të ngjashme e standarde jo të paarritshme, kontribuon në ekonomi rreth 170 milion euro falë vëmendjes së shtetit.
Megjithatë, të gjitha këto gjetje janë në fazën e tyre finale. Janë duke u përpunuar nga nivelet më të larta akademike europiane, me të cilët ne po bashkëpunojmë dhe studimi i plotë do ju bëhet me dije të gjithë aktorëve dhe faktorëve në mënyrën më shteruese.
Të zhvillojmë sportin e kemi detyrë të gjithë, futbollin veçanërisht, i cili ndikon e ndihmon në disa komponentë:
• Edukon fëmijët e brezat me ndjenjën kolektive, me disiplinën, iu rrit fantazinë e nëse nuk arrijnë të bëhen futbollistë të mëdhenj bëhen qytetarë të denjë.
• Largon fëmijët nga veset, nga rruga dhe i bën ata qytetarë të devotshëm.
• Ndihmon në rritjen e fëmijëve të shëndetshëm dhe minimizon kohën e përdorimeve elektronike, duke shmangur obezitetin.
• Së fundmi, prodhon futbollistë profesionistë, të cilët i sjellin të ardhura të mëdha shoqërisë, marramendëse, mbushin shkallët e stadiumeve dhe argëtojnë mijëra e miliona njerëz nëpër ekrane.
Atëherë natyrshëm lind pyetja: kjo qeveri që na merr taksa, na merr kontribute direkte e indirekte, pse nuk duhet të na krijojë kushte normale për të edukuar fëmijët tanë. Jua them me fakte se jemi i vetmi vend në Europë që nuk kemi një fond të rregulluar dhe një kuadër ligjor për sportin. Federata Futbollit, jo vetëm që merr 0 prej 20 vitesh nga shteti, por i ka paguar 17.2 milionë euro taksa shtetit. Në të njëjtën kohë ka investuar në të gjithë vendin 55 milion euro vetëm në 10 vitet e fundit, duke siguruar fonde nga projektet e donacione ndërkombëtare dhe nga të ardhurat e aktiviteteve të saj.
Unë akoma shpresoj te fjala e Edi Ramës se brenda vitit do kemi një qëndrim ndryshe për të siguruar një fond sportiv të kërkuar nëpërmjet zbritjes nga taksat. Nëse kjo nuk do të ndodhë padyshim që nuk do të qëndrojmë duarkryq, nuk do të bojkotojmë, por do të bëjmë zgjidhjet dhe zgjedhjet tona.
Para pak ditësh ne morëm një lajm të madh dhe të gëzuar, që na bën krenarë si njerëz të futbollit dhe si shqiptarë. Në mbledhjen e fundit Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, zgjodhi Shqipërinë dhe stadiumin “Air Albania” të Tiranës, si vendin ku do të zhvillohet finalja e kompeticionit më të ri “UEFA Conference League 2022”. Pra, finalja e parë e kësaj Kupe do të zhvillohet në Tiranë. Ky vendim na mbush me krenari, sepse kështu kemi realizuar një premtim që kemi bërë për të sjellë në stadiumin e ri, një finale të madhe europiane. Përzgjedhja që na bëri fitues, është fryt i punës disavjeçare plot përkushtim dhe profesionalizëm i stafit të Federatës, që për disa vjet me radhë plotësoi vëllime të tëra dokumentesh. Ne vlerësojmë dhe përshëndesim edhe gatishmërinë e institucioneve të shtetit shqiptar, të Bashkisë së Tiranës dhe enteve private si aeroporti, hotelet etj., që na ndihmuan në plotësimin e dokumentacionit. Ndër të tjera duhet të them se disa para përsëri do të hyjnë në Shqipëri.
Falënderim i veçantë për UEFA-n dhe Komitetin e saj Ekzekutiv, për besimin që na dhanë, duke zgjedhur Shqipërinë për këtë event. Me korrektësinë, profesionalizmin dhe mikpritjen shqiptare, nuk do t’ i zhgënjejmë për asnjë çast, duke përmbushur sa më mirë misionin tonë, në këtë ngjarje të madhe për Shqipërinë në “hollin e famës” së futbollit europian. Stadiumi jonë e ka një defekt, fushën, e cila u mendua natyrale, duke patur parasysh kushtet e favorshme klimaterike që ka Shqipëria dhe superioriteti që ka në krahasim me çdo fushë tjetër. Ne e provuam, por me sa duket është e pamundur për arsye të mungesës së dritës e ajrit, por ne kemi marrë të gjitha masat që brenda fillim vitit 2021, ajo fushë do të jetë në parametra maksimal dhe do të kompletojë magjinë e stadiumit tonë.
Ekipi kombëtar e zhvilloi aktivitetin e tij, i kushtëzuar dhe mes vështirësish të krijuara nga situata pandemike. Listat dhe planet e trajnerit Edi Reja dhe stafit të tij u kondicionuan shpesh nga prania apo jo e futbollistëve. Rezultatet e tamponëve por edhe regjimet e lëvizjeve të futbollistëve në vendet ku luajnë, shpesh ishin ato që vendosnin. Por ne e kthyem në oportunitet për të provuar e ofruar akoma më shumë të rinj në skuadrën e parë, e rrallë apo e paprecedentë kjo për Shqipërinë që luajti me lojtarë 17,19 apo 20-vjeҫarë. Këto lojtarë do të garantojnë dekadën e ardhshme e do t’i shërbejnë akoma më shumë objektivit tonë afatgjatë, EURO 2024.
Sigurisht, vendime të tilla kërkojnë guxim dhe profesionalizëm të lartë. Por koha na dha të drejtë. Kombëtarja arriti objektivin e saj final, renditjen në vendin e parë në grupin e Nations League dhe ngjitjen në një vazo më lart e duke u renditur ne vendin e 11, shpresojmë për të patur një vend në play-off për Kupën e Botës 2022.
Para pak ditësh u njohëm edhe me shortin për eliminatoret e Kampionatit Botëror. Ashtu siç edhe pritej, shorti është short, gjithmonë i vështirë. Po kjo s’ do të thotë që ne do të dorëzohemi. Përkundrazi, kemi filluar te organizohemi në te gjitha drejtimet për të marrë maksimumin nga këto eliminatore. Asnjë skuadër nuk do ta ketë të lehtë në Tiranë. Unë shpresoj që shpejt të kemi edhe tifozët tanë të zjarrtë në stadium. Ne jemi të ndërgjegjshëm për forcën e tre kundërshtarëve të parë, Anglisë, Polonisë dhe Hungarisë, siç jemi të ndërgjegjshëm edhe për vlerat tona në rritje.
Gjithashtu, ekipi Shpresa bëri një edicion të suksesshëm . Rezultatet e arritura nga nën-21 vjeçarët e Alban Bushit ishin mbresëlënëse. Ne për herë të parë pas viteve 90 -të, arritëm të renditemi të tretët në grup. Ndonëse mendoj se me pak kujdes mund të ishim të dytët, madje edhe mund të kualifikoheshim në fazën finale. Por më i rëndësishëm se këto, është fakti që ekipi ynë kombëtar pati në përbërje të tij, shumë lojtarë që erdhën direkt nga ekipi Shpresa dhe ishin kontingjent i tij. Meritë e punës së mirë që bëhet tek ekipi Shpresa por edhe tek ekipet e tjera zinxhir, e nga sektori i zbulimit të talenteve.
Ekipi kombëtar i vajzave tona ka bërë paraqitje mjaft të mira dhe dinjitoze në eliminatoret e tij. Vajzat kanë dhënë maksimumin pavarësisht situatës së vështirë që kaluan. Gjej rastin të përshëndes dhe falënderoj edhe ekipin kampion të femrave të Vllaznisë, që me turin e kaluar në Champions League, ju bashkua skuadrave të djemve duke e bërë të plotë dhe historik, kalimin e një turi nga të gjitha skuadrat shqiptare pjesëmarrëse.
Pavarësisht asaj çka ndodh në Shqipëri dhe kudo në botë, pavarësisht kufizimeve, puna jonë e përditshme nuk është ndalur për asnjë çast. Po kështu realizimi i objektivave dhe projektet tona. Dy prioritetet tona, futbolli i femrave dhe zhvillimi i futbollit të fëmijëve, kanë marrë gjatë kësaj periudhe vëmendjen tonë maksimale. Tani në futbollin shqiptar, dëgjon gjithmonë e më shumë që të flitet për futbollin e femrave dhe rolin e saj në këtë sport. Vajza e gra futbolliste dhe vajza e gra gjyqtare janë bërë gjithnjë e më shumë, burim frymëzimi dhe emancipimi për shoqërinë shqiptare. Po kështu zhvillimi i futbollit të fëmijëve, në ekipe, shkolla e mosha të ndryshme. Shumë projekte kanë marrë jetë e do të vazhdojnë shumë incentiva, shpërblime e trajnime. Kemi filluar incentivimin e mësuesve të edukimit fizik me objektivin e vetëm që është afrimi i sa më shumë djemve e vajzave rreth lojës sonë. Unë do të doja të falënderoja mësuesit e edukimit fizik që na janë bashkuar e që po e ndihmojnë çdo ditë e më shumë lojën tonë.
Ka nisur kampionati i futbollit 5×5 në Tiranë, në Durrës, Elbasan dhe Lezhë. Shumë shpejt, ai do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, që jemi duke punuar edhe për formate të tjera siç është ai 9×9. Shpresojmë që shpejt do të nxisim dhe frymëzojmë shumë aktivitete dhe forma të zhvillimit të futbollit amator.
Pavarësisht kushteve të vështira, programi i edukimit, jo vetëm që është realizuar por ka ardhur duke u pasuruar me elementë të rinj. Klubet tona ndjejnë deficitin e mjekëve sportivë, përgatitësve atletikë, video-analistëve, dhe për këtë ne kemi krijuar departamentet përkatëse të drejtuara nga ekspertë të fushave, të cilët drejtojnë këto specialitete në ekipet tona kombëtare dhe kanë ndërtuar strategji e programe për plotësimin e këtyre deficiteve në klubet e ekipet tona. Këto kurse kanë filluar me vështirësitë e pandemisë por me përkushtimin e drejtuesve kanë qenë të suksesshëm, sidomos ato të video-analistëve dhe përgatitësve atletikë. Risi ka qenë edhe fushata e kursit të përgatitësit atletik, ku për Shqipërinë dhe rëndësinë e këtij profesioni, kanë folur emrat e mëdhenj të trajningut botëror si Saki, Ranieri, Lipi, Ançeloti, Mançini, Prandeli, duke e rritur shumë reputacionin dhe besueshmërinë e këtij aktiviteti. Meritë shumë të veçantë për këtë ka drejtuesi i përgatitësve atletik në FSHF, z. Luigi Febbrari. Në vazhdim të kësaj strategjie kemi hedhur bazat e një bashkëpunimi të shëndoshë me universitet përkatëse, Universiteti i Sporteve të Tiranës , Rektori Agron Kasa i hapi dyert i pari këtij bashkëpunimi. Do të doja ta falënderoja publikisht për largpamësinë dhe vizionin e tij në të mirë të studentëve e të sportit.
Ndërkohë, që po punojmë për implementimin e projektit të “100 fushave”, duke përcaktuar kështu edhe prioritetet e para. Jemi të vetëdijshëm, që ky projekt ambicioz do të kërkojë shumë përkushtim. Por njëkohësisht jemi të bindur se ai do të përmirësojë ndjeshëm gjendjen e infrastrukturës, duke synuar rritjen e cilësisë sportive. Qeveria nuk ka denjuar as ta lexojë projektin tonë, por Ministria jonë e famshme e Arsimit dhe Sportit është nxituar të na kthejë përgjigje negative.
Ne do ta vazhdojmë projektin, dhe meqenëse qeveria nuk përgjigjet ne do ta mbështesim atë me 50% të investimit çdo aplikues klub, bashki apo person privat që dëshiron të ndërtojë një fushë të re futbolli me përmasa standarte. E përsëris, të re dhe jo rikonstruksion, pasi qëllimi jonë është të shtojmë inventarin e fushave. Numri në rritje i fëmijëve, dëshira e pasioni i madh i tyre për të luajtur futboll nuk mund të refuzohen siç bën MAS. Ne do t’i përkrahim e mbështesim me shumë kujdes e kënaqësi.
Mënyra shtetërore e drejtimit të sportit është e turpshme dhe më e turpshmja e 30 viteve të fundit. MAS e Qeverisë Rama theu rekordin e MTKRS-së së Qeverisë paraardhëse me 2 germa më pak e me kilometra indiferentizëm sportiv më shumë.
Të nderuar anëtarë!
Qëllimi kryesor i kësaj asambleje është përmirësimi i disa dokumentave bazë shumë të rëndësishëm të organizatës tonë. Me rekomandimet e FIFA-s e UEFA-s dhe në bashkëpunim të plotë me ekspertët më të mirë si Yann Haffiner nga UEFA, Soffia Malizia në FIFA, grupi ynë i ekspertëve i kryesuar nga Drejtori Juridik i FSHF-së Aldi Topҫiu, Juristi e bashkëpunëtori jonë i kahershëm Envi Icka, dhe Juristi i mirënjohur Julian Mërtiri, kanë përgatitur draftet e statutit dhe rregullores së zhvillimit të Asambleve të permirësuara në tërësi. Draftet e paraqitura për miratim janë në përputhje të plotë me statutet tip të Federatave europiane e botërore si dhe në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar. Gjithashtu ato përfaqësojnë frymën e barazisë, solidaritetit, fair play e transparencës në organizatë, duke garantuar ndarjen e saktë të pushteteve dhe pavarësinë organizative të saj. Megjithëse do t’i diskutojmë më poshtë, jam i bindur se drafti që propozohet për t’u miratuar është një hap cilësor për ne, kryesisht për pikat që po rendis më poshtë:
• Përfaqësimin më të mirë të të gjithë aktorëve në organizatë, barazimin e futbollit profesionist me atë amator në përfaqësim, si dhe përfaqësimin e futbollit të femrave dhe fëmijëve.
• Dhënien e më shumë kompetencave vendimmarrëse Asamblesë, nëse në Statutin e vjetër Komisionet Juridike emëroheshin nga KE, në këtë draft parashikohet votimi i tyre në Asamblenë e Përgjithshme
• Përmirësimin e pavarësisë organizative të FSHF, dhe shkëputur atë dhe anëtarët e saj akoma më shumë nga ndikimet e drejtpërdrejta politike.
Drafti që keni përpara është diskutuar e miratuar nga KE i FSHF-së në unanimitet, dhe Komiteti Ekzekutiv ju rekomandon t’i votoni pozitivisht këto propozime.
Pas kësaj Asambleje, ky proces do të vazhdojë për të përshtatur statutin e çdo anëtari të FSHF në të njëjtën frymë me këtë statut dhe me statutet e FIFA-s dhe UEFA-s.
Të dashur miq!
Kjo Asamble, zhvilluar në këto kushte, tregon vullnetin tonë të patundur për të ecur përpara dhe për të sfiduar të gjitha vështirësitë që na janë krijuar.
Me besimin e madh te shkenca,
Me besimin e palëkundur tek e ardhmja,
dhe me dëshirën njerëzore për të jetuar e dhënë sa më shumë, së bashku do ta kalojmë edhe këtë gjendje të vështirë dhe të jashtëzakonshme.
Zoti qoftë me ne! Mbaroftë sa më parë kjo pandemi!
Uroj të kemi një Asamble konstruktive e të fundit virtuale.
Punë të mbarë dhe suksese në zhvillimin e punimeve të saj.
Faleminderit!