Ambasadorja e futbollit gjerman Steffi Jones në Shqipëri, takime me drejtues të FSHF, futbolliste & trajnerët - FSHF

Ambasadorja e futbollit gjerman Steffi Jones në Shqipëri, takime me drejtues të FSHF, futbolliste & trajnerët

FSHF mirëpriti sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” një nga futbollistet më të mira në historinë e Kombëtares gjermane, Steffi Jones, në kuadër të promovimit të futbollit të vajzave në Shqipëri dhe në rolin e saj si ambasadore e Gjermanisë për finalet e “Euro 2024”.

Steffi Jones vizitoi ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, ku u mirëprit nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha. Fillimisht u njoh me historinë e futbollit shqiptar, pasi vizitoi muzeun në ambientet e brendshme të FSHF-së, ndërsa menjëherë më pas zhvilloi një diskutim të hapur me drejtues të FSHF-së, trajnerë dhe futbolliste.

Steffi Jones rikujtoi edhe njëherë karrierën e saj fantastike si lojtare dhe trajnere, momentet më të rëndësishme dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e futbollit të vajzave.

Gjithashtu në fokus të bisedimit ishte edhe roli i saj si ambasadore e Gjermanisë për “Euro 2024” ku u shpreh se kualifikimi i Kombëtares kuqezi është një arritje fantastike dhe inkurajoi vajzat që në të ardhmen ky objektiv falë punës mund të bëhet realitet edhe për Kombëtaren shqiptare të vajzave.

Steffi Jones dha edhe disa mesazhe të rëndësishme duke theksuar se loja e bukur e futbollit i përfshinë të gjithë, prandaj edhe në fokusin e Federatave është zhvillimin i futbollit të vajzave.

“Jam shumë e lumtur për pjesëmarrjen e Kombëtares tuaj në finalet e Europianit ‘Gjermani 2024’. Ky është sukses i arritur falë punës në grup, por gjithashtu falë edhe punës fantastike të bërë nga Federata Shqiptare e Futbollit. Jam plotësisht e bindur se në Gjermani do të bëni paraqitje dinjitoze dhe gjej rastin t’ju përgëzoj edhe për punën e mirë të bërë në futbollin e vajzave. Megjithatë duhet akoma edhe më shumë punë për të arritur atje ku duhet, ndërsa mesazhi im kryesor është për të gjjitha vajzat që merren me futboll, përkushtimi, vullneti dhe puna e palodhur do t’ju çoj në rrugën drejt suksesit. Jam e bindur që një ditë Shqipëria e vajzave do të kualifikohet në finalet e Europianit”, – tha ndër të tjera Steffi Jones.

Në vazhdim, Steffi Jones ndoqi një seancë stërvitore të ekipeve përfaqësuese rajonale të vajzave në “Shtëpinë e Futbollit”, ku bisedoi nga afër me futbollistet dhe trajneret vajza.

Ditën e nesërme, Steffi Jones  do të vizitojë edhe ambientet e fshatit SOS në Tiranë dhe do zhvillojë biseda me fëmijët mbi futbollin, duke demonstruar disa teknika sportive.