“Abissnet Superiore”/ Java e 34-të luhet të shtunën, Vllaznia & Partizani një hap larg sigurimit të “Final 4” - FSHF

“Abissnet Superiore”/ Java e 34-të luhet të shtunën, Vllaznia & Partizani një hap larg sigurimit të “Final 4”

Java e 34-të e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet të shtunën në orën 16:00.

Pesë takime interesante që do të vendosin shumë për objektivat e skuadrave. Në “Niko Dovana” Teuta do të presë Egnatian e vendit të parë me synimin për të marrë një tjetër fitore që do ta largonte akoma më shumë nga vendi i 8-të, ndërsa rrogozhinasit do të kërkojnë të rikthehen te triumfi për të blinduar vendin e parë.

Vllaznia dhe Partizani janë vetëm një hap larg për të siguruar matematikisht një vend në “Final 4”. Kuqeblutë do të presin Dinamo City në “Loro Boriçi”, ndërsa të kuqtë do të përballen në “Arenën e Demave” me Skënderbeun.

Laçi – Tirana është një tjetër sfidë interesante që pritet të dhurojë spektakël këtë javë, pasi të dyja ekipet kanë si objektiv vetëm fitoren.

Ndeshja tjetër e javës së 34-të është Erzeni – Kukësi. Shijakasit do të synojnë fitoren ndaj verilindorëve për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e 8-të në kampionat.