Prezantohen trajnerët e ekipeve kombëtare U-21 dhe U-19

Alban Bushi dhe Erjon Bogdani do të jenë trajnerët e ekipeve kombëtare U-21 dhe U-19. Sot, në orën 13.00 është bërë edhe prezantimi i tyre, përpara mediave në sallën e konferencave në Federatë. Fillimisht ka qenë Drejtori Teknik Paolo Tramezzani ai që ka prezantuar dy teknikët e rinj të pankinave kuqezi, duke ju uruar atyre suksese. Alban Bushi ka zëvendësuar në këtë vend Redi Jupin, ndërsa Erjon Bogdani ka zëvendësuar Arjan Bellai. Gjatë prezantimit, trajnerët paraardhës Jupi dhe Bellai, janë falenderuar për punën e tyre gjatë, periudhës që drejtuan skuadrat.“Sigurisht është një vlerësim i lartë por edhe një detyrë e vështirë që të drejtosh skuadrën U-21. Do të përpiqem të jap maksimumin tim, për të arritur rezultate sa më të mira. Eksepriencën e deritanishme në futboll, do ta shfrytëzoj për të bërë mirë në këtë detyrë të re dhe të vështirë”, -ka theksuar në fjalën e tij Alban Bushi.Ndërsa Erjon Bogdani ka falenderuar për besimin ka shtuar: “Është një mundësi që na është dhënë dhe do të përpiqem ta justifikoj këtë besim. Jam i ndërgjegjshëm, që kjo do të jetë një sfidë e vështirë. Por vetë jeta është një sfidë dhe për këtë arsye, ja vlen të punosh shumë, për të ecur përpara”.Më pas ata ju janë përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.Bushi dhe Bogdani kanë qenë sulmues shumë të njohur me një karrierë të pasur sportive. Interesant është fakti që ata mbajnë numrat një dhe dy në renditjen e golashënuesve të kombëtares shqiptare. Bogdani i pari me 18 gola të shënuar dhe Bushi i dyti me 14 gola. Gjatë kësaj periudhe Alban Bushi ka mbajtur vendin e menaxherit të skuadrës kombëtare ndërsa Erjon Bogdani ka qenë ndihmës i trajnerit Gianni De Biasi.