KOMBËTARJA ZHVILLON NDESHJE KONTROLLI NË SEANCËN E PASDITES, TRAJNERI VËZHGON ALTERNATIVAT! - FSHF

KOMBËTARJA ZHVILLON NDESHJE KONTROLLI NË SEANCËN E PASDITES, TRAJNERI VËZHGON ALTERNATIVAT!

Pak nxemje dhe një ndeshje kontrolli me dy grupe të ekipit kombëtar, në seancën e pasdites të së enjtes në rezort “Tropikal” në Durrës. Sikundër edhe vetë trajneri Christian Panucci kishte njoftuar më parë, media mundi ta ndjekë të gjithën një stërvitje të tillë, e cila sot u karakterizua nga një ndeshje vlerësuese nga ana e teknikut. Një ndeshje e cila gjatë gjithë kohës u shoqërua edhe nga indikacionet e trajnerit për momente të ndryshme në fushë nga ana e lojtarëve të pozicioneve të caktuara. Edhe pse nën shi, sërish kjo mini-ndeshje mes lojtarëve të ndarë në dy formacione brenda ekipit kombëtar evidentoi një vullnet shumë të madh nga ana e futbollistëve për të dhënë më të mirën, në cdo pas, ndërhyrje, apo ofensivë. E gjitha kjo në fokusin e trajnerit Christian Pannucci.

Përpara saj, një moment shumë i dashur përkushtimi për të voglin Abraham që kishte udhëtuar nga Shkodra për të parë idhujt e tij kuqezi në kombëtare. Një djalë me aftësi të kufizuara për të lëvizur, por me një pasion të madh për futbollin dhe vetë ekipin kombëtar. Vetë trajneri Panucci ftoi djalin e vogël dhe së bashku me djemtë kryen një foto-kujtim të përbashkët në fushë. Më pas, Abraham e ndoqi shumë i lumtur edhe ndeshjen e kontrollit aty, duke gëzuar për këtë moment që i fali ekipi kombëtar i futbollit.

Programi i ekipit kombëtar të futbollit vijon ditën e premte me dy seanca stërvitore, në orën 10.00 dhe në orën 16.00, teksa në mesditë si përherë konferenca për shtyp.