FSHF NISI SOT KURSIN “UEFA B”, 40 KURSANTË NË SHKOLLË PËR LIÇENSËN - FSHF
kursi UEFA B

FSHF NISI SOT KURSIN “UEFA B”, 40 KURSANTË NË SHKOLLË PËR LIÇENSËN

Sektori i edukimit pranë FSHF-së ka nisur sipas planit të përcaktuar vjetor edhe kursin e radhës për liçensimin e trajnerëve, atë të “UEFA B”. Këtë radhë janë 40 pjesëmarrës të rregjistruar, mes të cilëve edhe 6 femra, të cilët që prej ditës së sotme e në vijim do të ndjekin rregullisht një kurs të tillë, i cili është i 26-ti që zhvillon Sektori përkatës. Ai është programuar që të zhvillohet në harkun e tre javëve.

Shefi i sektorit të edukimit dhe liçensimit pranë FSHF-së, Astrit Maçi theksoi: “Nisëm sot në shkollën e trajnerëve kursin “UEFA B”, nr.26. Ajo që mund të konstatojmë është fakti i një interesi shumë të madh të kursantëve për të patur një liçensë të tillë. Natyrisht, që gjatë kësaj kohe ne vazhdojmë sipas kalendarit përkatës edhe javët e programuara të kursit UEFA Pro, i cili siç dihet ka një shtrirje gjithëvjetore. Në këtë kurs të nisur sot vlen të theksohet fakti që marrin pjesë edhe gjashtë vajza që kanë shfaqur dëshirën dhe janë rregjistruar për të ndjekur të gjithë orët teorike dhe praktike që janë parashikuar për këtë kurs, dhe ku më pas do të pajisen me liçensën e trajnerit”.

Sektori i Edukimit pranë FSHF-së operon mbi bazën e një plani voluminoz për liçensat e trajnerëve, me një program fiks për secilin kurs dhe me lektorët përkatës, teksa shtrirja e veprimit ka qenë edhe me Kursin e fundvitit të kaluar për Drejtorët Sportivë, apo edhe më parë për Trajnerë të Portierëve.