FSHF, nderon kujtimin e Gramoz Palushit - FSHF

FSHF, nderon kujtimin e Gramoz Palushit

Federata Shqiptare e Futbollit, ka respektuar kujtimin e Gramoz Palushit, djaloshit që humbi jetën mbrëmjen e 4 shtatorit të vitit 2004, pasi festonte me flamurin shqiptar fitoren e Shqipërisë, kundër Greqisë. I riu nga Kukësi, që kishte emigruar në Greqi, festoi rezultatin 2-1 që skuadra kuqezi arriti ndaj kombëtares së Greqisë, është goditur nga disa huliganë dhe më pas ka humbur jetën tragjikisht. Sot, 12 vjet më pas në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar, shoqata “Gramoz Palushi” ka organizuar një aktivitet në nderim të tij. Ai është mbështetur nga Federata Shqiptare e Futbollit. Në të merrnin pjesë, intelektualë, përfaqësues shoqatash, familjarë dhe personalitete të fushave të ndryshme. I pranishëm ishte edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF Abdyl Kuriu. Gjatë takimit kanë përshëndetur perfaqësues të shoqatave të ndryshme. Në emër të FSHF, Presidentit Armand Duka dhe ekipit kombëtar, ka përshëndetur përfaqësuesi i zyrës së shtypit Tritan Kokona. Në fund të fjalës së tij ai ka ftuar ish-kapitenin dhe ish –trajnerin e skuadrës përfaqësuese, Sulejman Demollarin për ti dhuruar babait të Gramoz Palushit, bluzën e kombëtares të Shqipërisë. Përfaqësuesi i organizatorëve Namik Selmani dhe babai i Gramoz Palushit, kanë falenderuar institucionin e futbollit shqiptar për vlerësimin dhe kontributin e tyre në këtë aktivitet.