UEFA Regions’ Cup/ Shqipëria e futbollit amator luan sfidën e dytë në turin e ndërmjetëm ndaj Tuzla - FSHF

UEFA Regions’ Cup/ Shqipëria e futbollit amator luan sfidën e dytë në turin e ndërmjetëm ndaj Tuzla

Kombëtarja shqiptare e futbollit amator ka luajtur këtë të shtunë në Bosnje-Hercegovinë ndeshjen e dytë të raundit të ndërmjetëm të kompeticionit UEFA “Regions’ Cup” ndaj vendasve të Tuzla (Bosnje-Hercegovinë).

Tuzla triumfoi me rezultatin minimal 1-0, por pavarësisht humbjes kuqezinjtë zhvilluan një ndeshje të mirë dhe shpërdoruar disa raste të mira shënimi.

Trajnerët Ardian Haçi dhe Igli Mumajesi hodhën në fushë këtë formacion titullar: Xhaferri, Pjetri, Marindis, Sokoli (C), Lame, Bajraktari, Eshi, Loloci, Cibuku, Gjoka dhe Hasa.

Në minutat e para të sfidës të dyja skuadrat ishin të kujdesshme, ndërsa loja zhvillohej kryesisht në mesfushë duke mos rrezikuar portën e asnjërës përfaqësuese. Me kalimin e minutave Tuzla krijoi disa raste të mira por portieri Xhaferri ishte i pakalueshëm. Edhe Shqipëria pati një mundësi të mirë me Bajraktarin por pa sukses. Fraksioni i parë u mbyll në barazim pa gola 0-0.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit që gjetën rrugën e rrjetës në minutën e 55-të me Safet Mustafic.

Shqipëria kreu zëvendësimin e parë në minutën e 63-të. Xhuljo Eshi u largua nga loja dhe u aktivizua Klodian Shehu. Në vazhdim të ndeshjes, kuqezinjtë krijuan disa raste të mira, u shfaqën disa herë të rrezikshëm, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Në fund ndeshja u mbyll me fitoren e Tuzla me rezultatin minimal 1-0.

Shqipëria është pjesë e grupit C në raundin e ndërmjetëm të UEFA “Regions’ Cup” së bashku me Hradec Králové (Çeki), Tuzla (Bosnje-Hercegovinë) dhe Central Scotland (Skoci).

Kuqezinjtë më 20 gusht do të luajnë ndeshjen e tretë dhe të fundit të raundit të ndërmjetëm të kompeticionit UEFA “Regions’ Cup” ndaj Central Scotland (Skoci) në orën 17:00.