UEFA Futsal Champions League / Përfundojnë ndeshjet e Grupit C, Tirana e mbyll në vendin e tretë - FSHF

UEFA Futsal Champions League / Përfundojnë ndeshjet e Grupit C, Tirana e mbyll në vendin e tretë

Kanë përfunduar ndeshjet e Grupit C të fazës para-eliminatore të UEFA Futsal Champions League 2024/25, që u luajtën në Tiranë dhe u organizuan nga FSHF. Në këtë grup merrte pjesë edhe skuadra kampione e Shqipërisë, Tirana Futsal, së bashku me Akaa (FIN), Ísbjörninn (ISL) dhe Weilimdorf (GER).

Bardheblutë zhvilluan ndeshjen e tretë dhe të fundit të grupit ndaj Akaa, sfidë që u mbyll në barazim me rezultatin 3-3. Aventura europiane për Tirana Futsal mbyllet në vendit e tretë të grupit C me 4 pikë, ndërsa në fazën tjetër avancoi Akaa që u rendit në vendin e parë me 7 pikë. Përsa i përket grupit C, skuadra e Weilimdorf e mbylli në vendin e dytë me 6 pikë, ndërsa Isbjornin në vendin e fundit me 0 pikë.

Ndeshja e luajtur në sallën e lojërave me dorë “Feti Borova” në Parkun Olimpik të kryeqytetit ka qenë mjaft e bukur me plot gola e emocione.

Finlandezët kaluan të parët në avantazh me anë të Alamikkotervo në minutën e 2-të. Skuadra e Akaa e gjeti sërish rrugën e rrjetës dhe dyfishoi rezultatin në minutën e 6-të me Pirttijoki.

Pavarësisht pësimit të dy golave, reagimi i Tiranës ishte i menjëhershëm. Bardheblutë ngushtuan diferencën në minutën e 11-të me Asdren Gashin. Tirana nuk e uli ritmin dhe në të 16-ën vendosi baraspeshën me Azem Brahimin. Pjesa e parë u mbyll në barazim 2-2.

Fraksioni i dytë nis me gol për skuadrën e Akaa. Finlandezët shënuan golin e tretë me Savolainen. Kur gjithçka po shkonte drejt fundit Tirana barazoi takimi me Ramadanin në minutën e 38-të. Në fund ndeshja u mbyll në barazim me rezultatin 3-3.

Ky ishte edicioni i katërt radhazi që ndeshjet e njërit prej grupeve të UEFA Futsal Champions League zhvillohen në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Më poshtë edhe kalendari i ndeshjeve të Grupit C në fazën para-eliminatore të UEFA Futsal Champions League:

Dt: 21.08.2024

Akaa (FIN) – Ísbjörninn (ISL)                  9-0
Weilimdorf (GER)  – Tirana (ALB)          3-2

Dt: 22.08.2024

Weilimdorf (GER)  – Akaa (FIN)              2-4
Tirana (ALB)  – Ísbjörninn (ISL)              3-1

Dt: 24.08.2024
Ísbjörninn (ISL) – Weilimdorf (GER)      2-7
Tirana (ALB) – Akaa (FIN)                         3-3