“UEFA B Goalkeeping”, eksperti i UEFA-s: Kursi, një histori suksesi. FSHF ka bërë hapa madhorë përpara - FSHF

“UEFA B Goalkeeping”, eksperti i UEFA-s: Kursi, një histori suksesi. FSHF ka bërë hapa madhorë përpara

Kursi për trajnerët e portierëve “UEFA B Goalkeeping” i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë udhë këtë të hënë si një risi e Sektorit të Edukimit sa i përket kualifikimit të trajnerëve që punojnë në futbollin shqiptar dhe formimit të profesionistëve të fushës.

Pjesëmarrësit në këtë kurs të parë do të jenë trajnerë portierësh nga klube të ndryshme shqiptare, por edhe disa nga anëtarët e stafeve të ekipeve kombëtare të moshave, ndërkohë që në këtë ditë të parë i ftuar si lektor ishte Savvas Constantinou, një emër i njohur ndër ekspertëve të UEFA-s për formimin e trajnerëve të portierëve.

Constantinou, i cili do të drejtojë për disa ditë kursin së bashku përgjegjësin e Sektorit për Zhvillimin e Portierëve, Erion Meta, ka vlerësuar maksimalisht iniciativën e FSHF-së për të përmirësuar nivelin e edukimit të trajnerëve shqiptarë dhe se kursi UEFA B Goalkeeping është një hap shumë i rëndësishëm përpara.

“Së pari dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që më solli këtu si ekspert i portierëve në UEFA për të mbështetur kursin për formimin e trajnerëve të portierëve. Kjo është hera e parë, është një kurs pilot për licencën UEFA B Goalkeeping, është një hap shumë i rëndësishëm për FSHF-në për t’u përmirësuar përmes këtyre kurseve të specializuara. Unë si përfaqësues i UEFA-s kam bashkëpunuar ngushtë më FSHF-në në 6 vitet e fundit dhe und t’ju siguroj se të paktën në dy vitet e fundit FSHF ka bërë hapa të mëdha përpara në edukimin e trajnerëve”, – tha Savvas Constantinou në një prononcim për Fshf.org.

Më tej, ekspert i UEFA-s për trajnerët e portierëve shprehur bindjen se kursi do të jetë mjaft i suksesshëm dhe do të ndihmojë shumë trajnerët profesionistë në punën e tyre të përditshme.

“Jam besimplotë se kursi UEFA B Goalkeeping do të jetë histori suksesi për trajnerët dhe ne mësojmë shumë sipas filozofisë së UEFA-s, duke studiuar raste reale dhe ata do ta përçojnë këtë njohuri më pas te klubet dhe do të ndihmojnë në zhvillimin e futbollistëve dhe portierëve profesionistë shqiptarë”, – vijoi Constantinou duke folur edhe për procesin që po ndiqet në hapat e parë të kursit. “Kjo është dita e parë e kursit, Erioni është marrë me organizimin dhe ai ka eksperiencë në Britaninë e Madhe dhe Skoci, ku ka marrë licencën e tij, kështu që ai i njeh metodat e reja që ne përdorim në UEFA. Jam shumë i lumtur për këtë ditë të parë, në fillim folëm për profilin e trajnerit të portierëve, cilat janë kërkesat për futbollin elitar aktualisht. Unë bëra një prezantim me gjetje nga Botërori dhe cili ishte roli i portierëve në këtë turne madhor. Kemi pasur një diskutim vërtetë të frytshëm me trajnerët dhe mendoj se edhe ato ishin shumë të kënaqur”, – theksoi ai.

Në fund, Constantinou ka përshëndetur edhe ndryshimet e realizuar nga FSHF në infrastrukturë dhe veçanërisht me ndërtimin e Shtëpisë së Futbollit, një kompleks modern që do të mbështesë shumë zhvillimin e futbollit dhe trajnerëve, pasi ofron kushtet më bashkëkohore.

“UEFA i mbështet të gjitha federatat anëtare për të zhvilluar më tej edukimin e trajnerëve. Jemi shumë të lumtur që në vitet e fundit FSHF ka bërë një përmirësim të jashtëzakonshëm në këtë fushë. Sigurisht që kompleksi i ri i Shtëpisë së Futbollit dhe facilitetet këtu të ndihmojnë shumë dhe mund ta ndiesh një atmosferë të shkëlqyer që në momentin e parë që futesh në këtë kompleks”, – nënvizoi ai.

Kursi UEFA B Goalkeeping do të zgjasë për 4 muaj me radhë, teksa nëpërmjet kësaj nisme do të punohet njëkohësisht edhe për të rritur sa më shumë numrin e portierëve nëpër akademi dhe klube si edhe për të pasur portierë sa më cilësorë në të ardhmen.

“UEFA B Goalkeeping” i bashkëngjitet programeve të edukimit që FSHF ka implementuar prej kohësh në edukimin dhe kualifikimin e stafeve teknike, duke i dhënë një rëndësi të veçantë edhe rolit të trajnerit të portierëve si një figurë kyçe në stafin teknik të një skuadre futbolli.