Turneu “Josip Katalinski Škija”, kuqezinjtë e vegjël: Është kënaqësi për ne të përfaqësojmë Shqipërinë - FSHF

Turneu “Josip Katalinski Škija”, kuqezinjtë e vegjël: Është kënaqësi për ne të përfaqësojmë Shqipërinë

Kombëtarja shqiptare U-15 ka nisur që prej pasdites së të premtes grumbullimin dhe përgatitjet në kuadër të turneut të përvitshëm të organizuar nga Federata Boshnjake “Josip Katalinski Škija”.

Në radhët e trajnerit Armand Dama janë vendosur 21 futbollistë të vitlindjes 2009, një pjesë e të cilëve vijnë për herë të parë në ekipin kombëtar U-15, ndërsa pjesa tjetër ka qenë edhe më parë e grumbulluar me Shqipërinë U-15.

Kuqezinjtë janë grumbulluar në Durrës, ndërsa nesër do të nisen drejt Bosnje-Hercegovinës, me turneun që do të zhvillohet në datat 23-26 maj.

Atmosfera në kampin kuqezi është shumë e mirë dhe e këtë konfirmojnë edhe vetë lojtarët e ftuar në këtë grumbullim. Një prej tyre është mbrojtësi i talentuar i ekipit të Tomorrit, Frensi Malaj, i cili shprehet i lumtur që do të përfaqësojë Shqipërinë U-15 në këtë turne.

“Quhem Frensi Malaj, luaj si mbrojtës i majtë me ekipin e Tomorrit në Berat. Nuk është hera ime e parë që jam i ftuar nga Kombëtarja U-15. Vij këtu për herë të tretë dhe gjithmonë e kam kënaqësi që të vij dhe të përfaqësoj ekipin kombëtar.

Atmosfera këtu është shumë e ngrohtë. Djemtë më kanë pritur mirë. Mendoj që ne do ta fitojmë turneun pasi kemi shumë cilësi në këtë grup dhe mendoj se do t’ia dalim.

Familja është gjithmonë e kënaqur me rezultatet e mia sepse sa po vij dhe po ngjitem më lart. Objektivat e mi janë të luaj me ekipin e parë të Kombëtares dhe me Milanin” – thotë Frensi për fshf.org.

Ndryshe nga Frensi, Denaldo Hyka vjen për herë të parë në ekipin kombëtar. Kënaqësia është e madhe për të, ndërsa mesfushori i talentuar i Empolit shprehet se ka punuar shumë për të marrë ftesën nga Shqipëria. Denaldo thotë ndër të tjera se ekipi e ka pritur shumë mirë, ndërsa vlerëson edhe pjesën tjetër të grupit.

“Jam Denaldo Hyka, luaj si mesfushor tek ekipi i Empolit. Jam shumë i lumtur që më ka thirrur kombëtarja dhe është hera ime e parë. Që i vogël kam dashur të luaj me Kombëtaren e Shqipërisë.

Familja ishte shumë e lumtur sepse e dinë se sa kam punuar për të arritur deri këtu. Çunat e ekipit më kanë pritur shumë mirë, më kanë ndihmuar për të bërë shoqëri. Kemi një ekip shumë të fortë dhe do të shfrytëzojmë mundësitë që kemi.

Synimet për të ardhmen- Dëshira ime është që të bëhem futbollist me ekipin e parë të Empolit dhe me Kombëtaren A të Shqipërisë”- thotë Denaldo për fshf.org.