Turneu i përfaqësueseve rajonale/ Mbyllen ndeshjet e grupeve, Fieri – Tirana është finalja e U-12 - FSHF

Turneu i përfaqësueseve rajonale/ Mbyllen ndeshjet e grupeve, Fieri – Tirana është finalja e U-12

Turneu i përfaqësueseve rajonale për ekipet e moshave U-12, U-13 dhe U-14 që organizohet nga FSHF në data 13 -16 maj, ngriti siparin këtë të hënë me sfidat e grupit për moshën U-12.

Pjesë e këtij turneu janë të gjitha ekipet rajonale të këtyre tre grupmoshave nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri, Korça, Lezha dhe Gjirokastra, teksa të gjitha skuadrat janë të ndara në dy grupe.

Në grupin A ndodhen ekipet e përfaqësueseve rajonale të Fierit, Durrësit, Gjirokastrës dhe Elbasanit, ndërsa në grupin B ndodhen ekipet e përfaqësueseve rajonale të Tiranës, Korçës, Lezhës dhe Shkodrës.

Ditën e sotme u luajtën të gjitha ndeshjet e grupit të moshës U-12. Takimet e grupit A u zhvilluan në Aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” në Fier, ndërsa ndeshjet e grupit B në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz.

Pas përfundimit të këtyre takimeve u përcaktua edhe finalja për grupmoshën U-12 që është, Fieri – Tirana.

Ditën e nesërme do të luhen të gjitha takimet e grupeve për moshën U-14, ndërsa ndeshjet e moshës U-13 do të zhvillohen të mërkurën.

Takimet finale të turneut të përfaqësueseve rajonale për ekipet e moshave U-12, U-13 dhe U-14 do të luhen të enjten më datë 16 maj në “Shtëpinë e Futbollit”.