Trajneri Reja & kapiteni Berisha: Luajmë vetëm për fitore ndaj Kazakistanit - FSHF

Trajneri Reja & kapiteni Berisha: Luajmë vetëm për fitore ndaj Kazakistanit

Trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit Edoardo Reja dhe kapiteni i ekipit, Etrit Berisha kanë dalë sot në konferencën zyrtare për media, para ndeshjes kundër Kazakistanin, të vlefshme për Ligën e Kombeve. Duke iu përgjigjur interesit të medias, trajneri Reja dhe kapiteni Berisha u shprehën se fokusi i tyre kryesor ishte ndeshja e parë ndaj Kazakistanit. Berisha fitorja me Kosovën i ka kënaqur dhe se grupi ka bërë një ndeshje të mirë. Më tej ai shtoi se skuadra e ka studiuar mirë ekipin kazak dhe se në këtë ndeshje, duke ndikuar edhe faktori shtëpi, grupi beson te fitorja. Ndërsa tekniku Reja theksoi se nga miqësorja me Kosovën ishte i kënaqur me paraqitjen e skuadrës dhe u shpreh se ekipi edhe në ndeshjet e tjera, pavarësisht se nuk ka shënuar, ka arritur të prodhojë mjaft raste. Trajneri më tej shtoi se pavarësisht mungesave në skuadër, ekipi i është përgjigjur mirë në ndeshjen testuese dhe ka besim se në dy ndeshjet e ardhshme skuadra do të prodhojë si në ndeshjet e shkuara.  Drejtuesi i kuqezinjve foli edhe për skemën e përdorur, për kontratën që e lidh me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe për mungesën e tifozëve në stadium.  Ndeshja kundër Kazakistanit do të luhet ditën e nesërme, në orën 18:00, në stadiumin kombëtar “Air Albania”, pa praninë e tifozëve, për shkak të pandemisë covid-19.

Në fillim ishte kapiteni Berisha që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve:

– Berisha, ajo ndeshje miqësore kundër Kosovës, besoj që ju rrit dhe në njëfarë mënyre ju bën gati për këtë sfidë me Kazakistanin që sigurisht është shumë e rëndësishme?

– Çdo fitore të jep siguri dhe motiv më të madh për të shkuar në ndeshjet e tjera për t’i fituar. Ndeshjet me Kosovën e ka rëndësinë e vet, por jo si kjo me Kazakistanin dhe ndeshja tjetër me Bjellorusinë. Ne jemi shumë të pëqrëndruar për këtë ndeshje edhe pse trajneri ka bërë disa ndërrime me ndeshjen me Kosovën. Mendoj që gjithë çunat bënë një ndeshje shumë të mirë dhe besoj që në të ardhmen trajneri do ketë më shumë vështirësi për sa i përket formacionit. Mirëpo ne jemi të kënaqur si grup dhe besoj që këto dy ndeshje do i fitojmë.

– Fakti që tani kundër Kazakistanit kthehen disa prej titullarëve, sepse sigurisht nuk ka më kohë për eksperimente, është një plus më shumë, një ndihmë për ju që ndoshta të ndiheni edhe më të sigurtë?

– Kemi lojtarë me eksperiencë dhe lojtarë të rinj të cilët po bëjnë shumë mirë. Ndeshja e fundit ishte një ndeshje shumë e mirë siç e thashë për të gjithë. Dhe me ardhjen e disa lojtarëve me eksperiencë, mund të them që kualiteti do të rritet edhe më shumë. Në këto ndeshje, kur duhen pikët, atëherë duhet të jemi të gjithë bashkë dhe të bëjmë më të mirën e mundshme.

– Shiriti i kapitenit, mendon që është një përgjegjësi më shumë për ty apo me eksperiencën që ke, mendon se nuk do ndikojë aspak, do jetë njësoj si më parë?

– Nuk ndërron asgjë. Për mua gjithmonë, kapiten apo jo, jam munduar gjithmonë të jap maksimumin.

– Fitorja me Kazakistanin është objektiv për Shqipërinë për të arritur vendin e parë në grup dhe për të shpresuar te kualifikimi. A ju fut në presion ky fakt?

– Për ne është ndeshje shumë e rëndësishme dhe nuk mund të jemi në presion pasi mendoj që jemi një ekip më i mirë se Kazakistani në radhë të parë dhe mendoj që jemi duke e përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, e njohim kundërshtarin, kemi luajtur edhe muajin e kaluar. Kështu që e dimë për kualitetet dhe edhe faktori shtëpi do na ndihmojë edhe më shumë dhe shpresoj që mos të kemi probleme.

– Në Kazakistan, morëm një rezultat jo ashtu siç e donim, një rezultat të mirë. Fakti që luajmë në Shqipëri, kemi më tepër presion, duke marrë parasysh faktin që atje nuk pamë një paraqitje dhe aq dinjitoze?

– Unë nuk mendoj ashtu, unë mendoj që patëm një paraqitje të mirë. Ajo ndeshje mund të përfundonte edhe me rezultat 2-0 apo 3-0. Rastet i krijuam, raste të pastra shënimi dhe po t’i shënonim ato raste të mira, me siguri do flitej ndryshe. Mirëpo, unë mendoj që ekipi reagoi mirë, sidomos në mbrojtje, duke krijuar edhe raste siç thashë më herët dhe ai që mungoi ishte goli. Kurse tani jemi në shtëpi, janë kthyer edhe disa lojtarë të cilët kanë munguar dhe besoj që kjo ndeshje duhet të tregohemi më konkretë.

– Ju thatë që e njihni skuadrën e Kazakistanit nga ndeshja e parë që bëtë. Me aq sa keni parë, cila është pika më e fortë e kësaj skuadre dhe ajo më e dobëta, ku mund ta shfrytëzoni pak më mirë?

– Ky ekip është i organizuar mirë në mbrojtje dhe mundohet që t’i shfrytëzojë kundërsulmet. Dhe mendoj që për këtë pjesë jemi të përgatitur mirë dhe po ashtu do të mundohemi t’i shfrytëzojmë edhe dobësitë dhe gabimet e tyre.

– Trajneri ka punuar më shumë në aspektin tekniko-taktik apo psikologjik? Sepse një dëm shumë të madh i ka bërë fakti që deri diku Shqipëria i ka konsideruar ndeshjet e fituara me këto skuadra në Ligën e Kombeve.

– Nuk do të ketë ndeshje të lehta. Unë mendoj që çdo ndeshja ka rëndësinë e saj taktikisht, teknikisht dhe të gjitha gjërat. Dhe ne ashtu edhe trajneri mundohet që të përgatisë ndeshjen sa më mirë që është e mundur.

Më tej, ishte trajneri Reja, ai që iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në konferencën për shtyp.

– Në miqësoren me Kosovën keni marrë rezultate pozitive nga një pjesë e mirë e lojtarëve. Jua vështirëson kjo punën për të vendosur edhe formacionin për ndeshjen me Kazakistanin?

– Sigurisht, vështirësia në këtë pjesë dihet, por unë i kam bërë zgjedhjet e mia me lojtarët që kam grumbulluar. Tashmë për fat të mirë kemi edhe Gjasulën që i është bashkuar grupit. Edhe Cikalleshi do të jetë i gatshëm pasi pati probleme fizike para ndeshjes me Kosovën. Sigurisht, jam i lumtur pasi kam arritur të nxjerr disa konkluzione nga miqësorja me Kosovën. Jam i kënaqur jo thjesht për rezultatin por jam i kënaqur dhe me paraqitjen që bënë disa nga lojtarët, pra qoftë debutuesit, të cilët për mendimin tim treguan vlera dhe them që mora atë që prisja, pra mora disa sinjale mjaft të mira për sa i përket të ardhmes. Siç dihet ne punojmë edhe për skuadrën e të ardhmes. Sigurisht miqësoret janë për lojtarët e rinj, që ti të mund të provosh lojtarët e rinj. Jam i kënaqur jo vetëm për rezultatin siç thashë por arrita edhe në disa konkluzione që do më vlejnë shumë.

– Mister, me përjashtim të miqësores me Kosovën, kombëtarja nuk ka arritur të shënojë asnjë gol në tre ndeshje zyrtare. Si mendoni ta zgjidhni problemin e golit?

– Në momentin që del përpara portës, ne duhet të jemi gjithmonë konkretë. Trajneri ka për detyrë të përgatisë ndeshjet dhe fakti që skuadra ka pasur raste për shënim, do të thotë që është bërë një punë e mirë. Por sigurisht, na ka munguar pak edhe fati në këtë drejtim. Është e vërtetë që kemi pasur shumë raste, por tani duhet të jemi më të kujdesshëm përpara portës dhe të shënojmë gola dhe sigurisht duke fituar që të arrijmë objektivin tonë që është vendi i parë në grup. Uroj që të jemi shumë konkretë përpara portës dhe uroj që ato rastet e humbura që kemi pasur në ndeshjet e kaluara, t’i shlyejmë këtë herë dhe djemtë t’i kenë ruajtur golat për këto dy ndeshje, që vlejnë shumë.

– Mister, moduli i përdor nga ju, 3-5-2 është kritikuar shpesh, por edhe zëvendësimet dhe levizjet e shpeshta në formacion. Në këto dy sfida dhe kryesisht me Kazakistanin, do ketë ndryshime në formacion, do jenë lojtarët të cilët kanë më tepër eksperiencë?

– Nuk është aq thjeshtë të ndryshosh skemat. Unë e kam nisur rrugëtimin në këtë kompeticion me këtë skemë, kam punuar me këtë skemë dhe sigurisht që kam besim sepse rezultatet deri diku më kanë dhënë të drejtë në fushën e lojës. Nuk është aq thjeshtë të ndryshosh, sepse nuk mund të ndryshohet skema çdo të diel apo ndeshje pas ndeshje. Unë kam disa lojtarë te të cilët kam krijuar siguri dhe kam bindjen që mund të japin maksimumin me këtë skemë dhe do vazhdojmë kështu. Është e rëndësishme të marrim maksimumin në këto dy ndeshje. Pastaj me të mbaruar këto dy ndeshje, mund ta rishikojmë, nuk është se jam i fiksuar pas kësaj skeme. Në varësi të lojtarëve, ndonjëherë skema zgjidhet ashtu. Lojtarët janë të motivuar dhe unë uroj të marrim maksimumin në këto dy ndeshje.

– Më tepër se edhe te skema, ishte ideja edhe te ndryshimet e shpeshta në formacion. Pra, luan Roshi, pastaj Lenjani, pastaj një alternativë tjetër.

– Unë zakonisht marr 20 lojtarë dhe kam dy lojtarë për çdo rol, por në fund pastaj vetëm njëri prej tyre do luajë në fushë. Lojtarët që unë kam grumbulluar apo aktivizuar, më kanë krijuar njëfarë sigurie gjatë gjithë kësaj kohe dhe kanë bërë paraqitje të mira. Ndonjëherë kemi marrë rezultate pozitive, ndonjëherë nuk kemi marrë edhe rezultatet që kemi merituar, por këto janë gjëra që ndodhin. Sigurisht, do të doja të kisha marrë pikë dhe fitore ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë, por për mënyrën si shkuan gjërat, nuk arritëm të merrnim maksimumin e mundshëm. Por tani jemi të detyruar të fitojmë këto dy ndeshjet e mbetura që të arrijmë objektivin tonë. E kam thënë dhe herë të tjera, nuk ka ndeshje të lehta, nuk ka kundërshtarë të lehtë, janë të gjithë skuadra të organizuara. Ne mbetemi favoritë sigurisht. Lojtarët që kanë luajtur më përshtaten më shumë në zgjedhjet që kam bërë në ndeshje. Do të doja të fokusoheshim te ndeshja me Kazakistanin, tashmë e njohim më mirë. Kemi bërë një ndeshje muajin e kaluar. E dimë ku janë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Unë shpresoj të paraqitemi mirë dhe të arrijmë objektivin tonë për të marrë këto tre pikë, pastaj  do kemi mundësi të flasim edhe për ndeshjen me Bjellorusinë.

– Mister, si është kontrata juaj me FSHF? A keni firmosur, apo ndeshja juaj varet nga këto dy ndeshje?

– Aktualisht kam një kontratë me Federatën Shqiptare të Futbollit për të drejtuar Kombëtaren. Sigurisht unë dua të vazhdoj, por siç e dini, çdo trajner është gjithmonë i varur nga rezultatet që arrin të marrë në fushën e lojës. Sigurisht, nëse Federata do jetë e kënaqur me punën time dhe me rezultatet kemi marrë, me shumë dëshirë do të vazhdojmë. Kemi pasur disa probleme rrugës, për shkak të pandemisë që na krijoi shumë vështirësi, në programin që ne kishim, duke mos na lënë të punojmë. Por jemi përpjekur të bëjmë maksimumin për të ndërtuar ekipin e së ardhmes. Siç e thashë pra që nëse nuk ke rezultate, një trajner apo edhe unë mund të jem në vështirësi. Por dëshira ime është që të vazhdoj. Nuk është se jam i lidhur me Federatën apo me Kombëtaren, nuk është thejsht çështje kontrate, jam i lidhur me një kontratë por nuk është çështje te paratë. Mua më intereson ky projekt dhe kam shumë dëshirë të vazhdoj në këtë mënyrë.

– Nesër është ndeshja me Kazakistanin. Cili prej reparteve ju shqetëson më tepër?

– Sigurisht që kemi mungesa në mbrojtje, por për fat të mirë rikthehet Ismajli, i cili është një siguri në mbrojtje. Gjithashtu do kem në dispozicion plotësisht edhe Gjimshitinm të cilin e pata lënë pushim për shkak se ka pasur shumë ngarkesë me klubin gjatë kësaj kohe. Por është stërvitur normalisht dhe tani është plotësisht në formë. Pra pak a shumë, mbrojtjen e kam të zgjidhur, pavarësisht se kemi mungesa të rëndësishme. Patjetër që ka vështirësi, por uroj që të bëjmë një paraqitje të mirë edhe me këto lojtarët që kemi. Në sulm po bëj disa zgjedhje, do përpiqemi të përmirësohemi dhe në rastin konkret ndaj Kazakistanit e dimë që do të jetë e vështirë sepse është një nga ato skuadra që luan me shumë lojtarë mbrapa. Pra është shumë e vështirë të çash një mbrojtje që rri gjithë kohës e pozicionuar me një numër shumë të madh lojtarësh në vijën e fundit. Kazakistani përdor skemat 3-5-2 apo 3-4-3 dhe ne do na duhet të luajmë me shumë shpejtësi. E thashë pra, te pjesa e mbrojtjes e kemi njëfarë garancie, e treguam edhe në ndeshjen me Kosovën, që kemi zgjedhje dhe jemi në rregull. Në mesfushë e lart kemi pak vështirësi por gjithsesi ne kemi arritur të kemi produktivitet në ndeshjet e fundit pavarësisht se na munguan golat. Por në pjesën tjetër të ndeshjeve të kaluara, ne nuk kemi vuajtur por kemi arritur të shkojmë kollaj te goli.

– Presioni që krijohet për të fituar patjetër ndeshjen me Kazakistanin, mendoni që mund të ndikojë te lojtarët?

– Nuk është problem pjesa e presionit. Unë mendoj që duhet presion, sepse pa presion është shumë e vështirë që t’i vësh lojtarët në kushtet e duhura në fushë. Është diçka që duhet. Në momentin që ne kemi ulur përqëndrimin në ndeshjet e kaluara kemi pasur rezultate negative apo kemi gabuar. Kështu që unë mendoj se presioni bën mirë. Unë ndihem mirë që kam lojtarë me eksperiencë dhe që i njohin këto lloj situatash dhe janë mësuar me këtë klimë dhe e dinë se çfarë është përqëndrimi dhe çfarë është të luash në këto nivele. E kam thënë shumë herë që më vjen keq për pjesën e tifozëve që nuk do t’i kemi. Po t’i keni vënë re në ndeshjet e fundit të Kombëtareve që janë luajtur në Europë, ka pasur rezultate të çuditshme, sepse mendoj unë për një fakt të thjeshtë, nuk ekziston më faktori fushë, pra si të luash brenda, si të luash jashtë, është po e njëjta gjë.  Dhe më vjen shumë keq që ne nuk do të kemi ndihmën e tifozëve në këto dy ndeshje.

– Çfarë përshtypjesh kanë lënë Balaj dhe Seferi në ndeshjen me Kosovën dhe pas asaj ndeshje meritojnë vendin e titullarit të dy, në ndeshjen kundër Kazakistanit?

– Balaj dhe Seferi bënë një paraqitje të mirë por janë lojtarë të ndryshëm. Unë tashmë kam edhe Cikalleshin në gatishmëri për këto dy ndeshje, pra mund të them që kam katër lojtarë që janë pak a shumë i njëjti nivel dhe mund të luajnë të katër. Sigurisht do zgjedh ato që janë më në formë por unë nuk kam vendosur akoma sa i përket pjesës offensive. Të shohim nesër në stërvitje, ata e dinë se çfarë mendoj unë. Unë i njoh shumë mirë, janë gati të katër, por duhet të bëj edhe zgjedhje duke pasur parasysh kundërshtarin që kemi përpara. Pra, Kazakistani është diçka tjetër, Bjellorusia diçka tjetër. Dhe unë duhet të bëj zgjedhjet e duhura, në bazë të rivalëve që ne do të kemi përballë.