Trajnerët e ekipeve kombëtare, takime pune në FSHF

Trajnerët e të gjitha ekipeve kombëtare zhvilluan sot një mbledhje në ambientet e FSHF-së, ku ishin të pranishëm edhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe drejtuesit e Sektorit të Ekipeve Kombëtare.

Në këtë takim u diskutua për çështje organizative, planin e punës para nisjes së edicioneve zyrtare si edhe për koordinimin e punës në evidentimin e elementëve të vlefshëm që kanë perspektivë për të ardhmen.

Sekretari i Përgjithshëm, Shulku, kërkoi nga të gjithë trajnerët që të fokusohen te dokumentimi i të dhënave deri në detaje për çdo talent në mënyrë që trajnerët e të gjitha moshave të kenë një informacion të bollshëm për çdo futbollist, që aktivizohet në ekipet kombëtare në të gjitha moshat.
Gjithashtu, Shulku kërkoi nga të pranishmit që të vazhdojnë punën dhe të mbajnë kontakte të vazhdueshme me njëri-tjetrit për të shkëmbyer të dhëna, informacion të vlefshëm dhe për të bashkërenduar punën në të gjitha nivelet me përfaqësueset.

Gjatë mbledhjes u diskutuan edhe për mënyrën se si do të operohet për vëzhgimin e talenteve të reja, që mund të jenë prurje potenciale në ekipet kombëtare si edhe u fol për organizimin e punës në kuadër të aktiviteteve ndërkombëtare që nisin në muajin shtator.

Po ashtu, u theksua edhe rëndësia e bashkëpunimit dhe komunikimit me klubet për talente të veçantë të evidentuar nga trajnerët kuqezi, pasi janë klubet ato që bëjnë punën më të madhe në formimin e një futbollisti.