"Topi i Artë 2022" për djem / Redon Xhixha shpallet fituesi i këtij edicioni futbolistik - FSHF

“Topi i Artë 2022” për djem / Redon Xhixha shpallet fituesi i këtij edicioni futbolistik

Redon Xhixha është fituesi i “Topit të Artë” për vitin 2022, duke u shpallur kështu futbollisti më i mirë në Shqipëri. Në ceremoninë e zhvilluar në ‘Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit’ do të ishte Xhixha ai i cili do të triumfonte përballë rivalëve si Xhuliano Skuka, ish-sulmuesi i Partizanit dhe Mentor Mazrekaj, sulmuesi i Laçit.

Ky është ‘Topi i Artë’ i parë në karrierën e ish-sulmuesit të Tiranës. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, znj.Evis Kushi i dorëzoi trofeun e rëndësishëm kapitenit të KF Tiranës, Marsel Ismajlgeci, në mungesë të sulmuesit shqiptar, i cili së fundmi është transferuar në ekipin e Qarabag-ut në Azerbajxhan.

Pasi lexoi emrin e Redon Xhixhës si fitues, Ministrja Kushi deklaroi: “Nuk ka asnjë dyshim që futbolli është sporti më popullor dhe i dashur. Është sporti që frymëzon, bashkon njerëzit dhe ngjall emocionet më të papërshkrueshme. Në stadium kam parë burra që qajnë, nga gëzimi i fitores dhe dhimbja e humbjes.

Futbolli nxit edhe vlera, sepse që të luash bukur e të fitosh, në futboll nuk mjafton vetëm talenti, duhet disiplinë dhe sakrificë, duhet fryma e ekipit dhe harmonia.

Për këto vlera, unë jam shumë krenare që bashkë me Presidentin e FSHF-së nënshkruam një marrëveshje për futbollit në shkolla, me mbështetjen e FIFA-s. Duam ta nxisim që në moshë të vogël te fëmijët këtë sport.

Futbolli sjell edhe zhvillim, e pamë si Tirana u shndërrua në kryeqytetin e Europës me finalen e UEFA Conference League. Por duhet infrastruktura për të pasur futboll të zhvilluar. Stadiumi ‘Air Albania’ është më i bukuri në botë, ai nxit krenari kombëtare për të gjithë. Kemi nisur punën për ndërtimin e tre stadiumeve të reja në Durrës, Shkodër dhe Korçë. Pres me padurim të kemi rezultatet e para. Dua të falënderoj shumë presidentin e FSHF-së për bashkëpunimin dhe projektet që i kemi ende në proces”, – tha Ministrja Kushi në fjalën e saj përshëndetëse.

Përmes një video-mesazhi, Redon Xhixha u shpreh i emocionuar që është vlerësuar me këtë çmim, ndërsa e cilësoi futbollin shqiptar si një vitrinë për të bërë hapa të rëndësishëm në karrierë.

‘Është një emocion jashtëzakonisht i madh për mua që jam vlerësuar me këtë çmim. Ndihem keq që nuk jam sonte në sallë me ju që ta tërheq vetë këtë çmim, por para pak ditësh finalizova transferimin tim te Qarabag dhe e kam të pamundur të jem aty. Dua të falënderoj familjen time dhe ekipin e Tiranës ku dola kampion. Dua të them që futbolli shqiptar është një vitrinë e mirë për të bërë një hap të rëndësishëm në karrierë në ekipet e njohura europiane. Mbrëmje të bukur të gjithëve dhe ia kalofshi sa më mirë”, – tha Redon Xhixha në video-mesazhin e tij.