Starova: Kursi i FSHF për skautët e futbollit do t’i shërbejë shumë futbollit shqiptar për të evidentuar talentet e reja - FSHF

Starova: Kursi i FSHF për skautët e futbollit do t’i shërbejë shumë futbollit shqiptar për të evidentuar talentet e reja

Gjithçka është gati për risinë e fundit të FSHF-së, që po investon shumë në formimin e profesionistëve të futbollit me kurset e shumta që ofron në të gjitha nivelet. Në mesin e muajit maj do të nisë kursi për skautët e futbollit do të udhëhiqet nga Sektori i Edukimit në FSHF, duke u organizuar për herë të parë dhe duke zgjeruar kësisoj gamën e kurseve të edukimit.

Një program formimi mjaft i vlefshëm e me një kurrikul shumë të pasur, ku do të marrin pjesë shumë specialistë të fushës, siç edhe shpjegon drejtori i Sektorit të Edukimit në FSHF, Sulejman Starova, i cili shpjegon edhe të gjitha kurset që ofron FSHF e që janë i një niveli shumë të lartë.

“Në kuadër të shumë kurseve që organizon Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet Sektorit të Edukimit, shtohet një kurs i ri që është kursi i skautit. Pra krahas kurseve që pajisen kursantët me licensën e UEFA-s, licenca UEFA C, B, A dhe Pro, por dhe kurset që organizon federata për t’i ardhur në ndihmë dhe për të rritur cilësinë e futbollit shqiptar, siç është kursi i mjekësisë sportive, fizioterapistit, i video-analistit, i drejtorit teknik, përgatitësit atletik, këtë muaj nisim me një kurs të ri që është kursi i skautit.

Kemi disa muaj që përgatitemi, do jenë shumë lektorë, përveç lektorëve të Sektorit të Edukimit, që merren direkt me edukimin, kemi lektorë të tjerë. Kemi dy lektorë që punojnë për Federatën në Angli dhe Itali, Ervis Jaho dhe Armand Kavaja. Krahas tyre kemi edhe Drejtorin Teknik që sapo është emëruar, Fulvio Pea. Kemi video-analistin e ekipit kombëtar, Alarico Rossi”, – thotë Starova për Fshf.org, teksa thekson se është punuar për një kohë të gjatë në lidhje me përgatitjen e duhur për këtë kurs, ndërsa përmend edhe shkëmbimin e eksperiencës me Federatën Italiane të Futbollit në këtë drejtim.

“Gjithashtu kemi marrë edhe një eksperiencë të fundit nga Koverçiano. Ishim dhe ndoqëm një javë kursin e skautit në Itali dhe kurrikula është shumë e pasur. Interesimi është i madh, kemi rreth 30 aplikime. Kam mendimin që kjo do t’i shërbejë futbollit shqiptar, klubeve për të evidentuar talentet. Fusha ku operojnë është futbolli i bazës, për evidentimin e talenteve.

Pastaj ajo u shërben direkt klubeve për të pasuar klubin dhe për të nxjerrë talente. Sigurisht që interesi i Federatës Shqiptare të Futbollit është që pra nëpërmjet rritjes së klubeve, të kemi një fidanishte të madhe edhe për ekipin kombëtar”, – u shpreh drejtori i Sektorit të Edukimit në FSHF.

Kursi i skautëve të futbollit do t’u ofrohet të gjithë atyre që punojnë apo duan të punojnë me klubet si zbulues talentesh, do të nisë më 15 maj dhe do të jetë i ndarë në tre periudha për t’u përmbyllur më datën 1 qershor dhe synimi është që t’u ofrojë pjesëmarrësve mbështetjen dhe njohuritë e nevojshme stërvitore e përgatitore për të zhvilluar aktivitete në lidhje me vëzhgimin, analizën, vlerësimin dhe skautimin e lojtarëve dhe ekipeve.

Ata që do të përfundojnë me sukses kursin do të pajisen me një licensë nga FSHF për ushtrimin e këtij profesioni.