Sigurimi i lojtarëve të Kategorisë Superiore, FSHF dhe Sigal prezantojnë protokollet që duhen ndjekur nga klubet - FSHF

Sigurimi i lojtarëve të Kategorisë Superiore, FSHF dhe Sigal prezantojnë protokollet që duhen ndjekur nga klubet

Federata Shqiptare e Futbollit dhe “Sigal Uniqa Group Austria” zhvilluan një takim informues në “Shtëpinë e Futbollit” me përfaqësues të klubeve të Kategorisë Superiore në prag të fillmit të sezonit të ri futbollistik 2024/2025, që do të ngrejë siparin të dielën më 18 gusht.

Fokusi i diskutimeve ishte përditësimi i politikave të sigurimit të lojtarëve të Kategorisë Superiore dhe protokollet që ndiqen në rastet e dëmtimeve të lojtarëve. Temat që u diskutuan kishin të bënin me procedurat që klubet duhet të ndjekin, plotësimi i formularëve përkatës për të përfituar rimbursimin në rast dëmtimi të lojtarit gjatë stërvitjes apo ndeshjes si edhe roli i doktorit dhe fizioterapistit në klub.

Gjithashtu, kompania “Sigal Uniqa Group Austria” prezantoi disa paketa të sigurimit për klubet, që përfshijnë lojtarët e akademive, të cilët mund të aktivizohen edhe me ekipin e parë dhe mund të përfitojnë nga rimbursimi në rast dëmtimi.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe kompania “Sigal Uniqa Group Austria” kanë një bashkëpunim të suksesshëm që prej vitit 2016-të. Kompania “Sigal Uniqa Group Austria” është një ndër sponsorët kryesorë të FSHF-së dhe Kombëtares së futbollit teksa kontributi dhe mbështetja gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë e madhe.