“Shtëpia e Futbollit, shtëpia e të gjithëve ne”, FSHF në bashkëpunim me UNHCR organizojnë ndeshje miqësore - FSHF

“Shtëpia e Futbollit, shtëpia e të gjithëve ne”, FSHF në bashkëpunim me UNHCR organizojnë ndeshje miqësore

Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Zyrën e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara UNHCR organizoi një ndeshje miqësore në “Shtëpinë e Futbollit” në kuadër të strategjisë së përgjegjësisë sociale, një nga shtyllat e programit të FSHF-së për zhvillimin e futbollit në Shqipëri.

Nën moton “Le të jetë Shtëpia e Futbollit, shtëpia e të gjithëve ne” ky aktivitet përcjell mesazhe solidariteti, gjithëpërfshirje dhe bashkimi, të cilat i mundëson futbolli. Pjesëmarrës në këtë ndeshje miqësore ishin ekipi i FSHF-së, i përbërë nga zyrtarë të saj dhe ekipi i UNHCR, ku bënin pjesë punonjës dhe refugjatë që janë zhvendosur në Shqipëri.

Ndeshja u zhvillua në formatin 9×9, me dy pjesë, ku secila zgjati 30 minuta. Kjo përballje u mbyll me rezultatin 11-4 në favor të ekipit te FSHF-së. Në fund të ndeshjes u mbajt një ceremoni e dorëzimit të kupave. Kupën e ekipit fitues të FSHF-së e dorëzoi përfaqësuesi i UNHCR-së në Shqipëri, Toshitsuki Kawauchi, ndërsa kupa për ekipin e UNHCR-së u dorëzua nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea.

Përpara fillimit të ndeshjes, lojtarët e ekipit të UNHCR-së dhe familjarët e tyre vizituan muzeun e FSHF-së dhe u njohën me historinë e futbollit shqiptar.

Federata Shqiptare e Futbollit mbështet vazhdimisht evente të tilla që nxisin përfshirjen e komunitetit në sportin më të bukur në botë.