Shqipëria U16, flasin trajneri Beqiri dhe talentet kuqezi: “Kemi grup të mirë” (VIDEO) - FSHF

Shqipëria U16, flasin trajneri Beqiri dhe talentet kuqezi: “Kemi grup të mirë” (VIDEO)

Shqipëria e 16 vjeccarëve e drejtuar nga trajneri Elvin Beqiri është duke zhvilluar në Durrës përgatitjet për turneun UEFA Development që do të zhvillohet në Slloveni nga data 3 deri më datë 8 Prill 2019. Në këtë turne, kuqezinjtë do të përballen me Perunë, Italinë dhe vendasit e Sllovenisë.

Trajneri Elvin Beqiri është shfaqur i kënaqur nga grupi dhe stërvitjet që është duke zhvilluar skuadra e tij, dhe nuk e fsheh besimin se skuadra e tij do të bëj paraqitje të mira në Slloveni. “Ky është grumbullimi tretë për këtë vit, seleksionimet po vazhdojnë. Tani do të luajmë në një turne tjetër, unë e kam thënë edhe më përpara se është fat për këtë grupmoshë që kemi turne kaq shpesh, do të luajmë në Slloveni dhe shpresojmë që të kemi një paraqitje të mirë sepse në turneun që zhvilluam para pak javësh në Maltë nuk ishim të kënaqur. Shpresojmë që në këtë turne të paraqisim më të mirën, por megjithatë duhet të theksoj se ne jemi akoma në fazën e seleksionimeve. Kemi disa lojtarë të rinj që kanë ardhur, ashtu siç kishim edhe në turneun e mëparshëm. Shpresoj që të bëjmë sa më parë grupin kryesor që do të na përfaqësojë në eliminatoret zyrtare të muajit nëntor. Në skuadër kemi element të mirë, që janë shumë interesant, janë shfaqur mirë këto ditë në stërvitje, por gjithsesi në ndeshjet që do të luajmë do ti shikojmë e testojmë duke besuar se do na japin diçka. Kemi shpresë që këto lojtarë që ne afrojmë pas çdo grumbullimi të jenë pjesë kryesore e grupit”, ka përfunduar fjalën e tij Elvin Beqiri.

Në këtë grumbullim paraprak në Durrës në prag të turneut UEFA Development që do të zhvillohet në Slloveni, skuadrës i janë bashkuar edhe disa elementë të rinj shumë të talentuar që luajnë në skuadra të mëdha ndërkombëtare, të cilët kanë rrëfyer emocionet e tyre për mikrofonat e FSHF.TV. “Emocionet e të qënurit këtu janë shumë të mëdha, jam gëzuar shumë kur kam marrë ftesën, ashtu si edhe familja ime që ka festuar me mua pas mbërritjes së ftesës. E ndjej veten mirë në këtë grup, të gjithë janë të mirë me mua, dhe jam shumë i lumtur. Idhujt e mi janë Toni Kros dhe Taulant Xhaka, unë luaj në një pozicion si Kros ndërkohë që me Xhakën kam zhvilluar njëherë një seancë stërvitore dhe më pëlqen shumë”, është shprehur Ertan Hajdaraj, 16 vjeçari që luan në Gjermani te Borusia  Mynshenglabah.

15 vjeçari Albert Raqi vjen në këtë grumbullim të Shqipërisë U16 nga Tottenham. “E kam filluar futbollin në moshën 4 vjeçare. Jam shumë i lumtur që jam në Kombëtaren e Shqipërisë dhe po ja kaloj shumë mirë me shokët e rinj këtu në skuadër. Unë kam dëshirë të eci në gjurmët e Ronaldinjos dhe Granit Xhakës”.

Për shumë futbollistë Kombëtarja është një ëndërr dhe një arritje e madhe që të bën krenar për të shkuar sa më larg, e tillë është edhe për Krisildi Matën, 15 vjeçarin që vjen nga Sampdoria. “Futbollin e kam filluar në moshën 7 vjeçare. Ndihem shumë mirë me këtë grup dhe duhet të them se fanella e Shqipërisë më jep shumë emocione. Jam krenar që luaj për Kombëtaren shqiptare. Idhulli im është Kielini, idhulli shqiptar është Elseid Hysaj”.

Prurjet e reja në këtë grumbullim vijnë nga e gjithë Europa, ashtu si edhe Ardi Hajdari, sulmuesi talentuar 16 vjeçar që vjen nga suedesët e Halmstad. “Vij në këtë grumbullim nga Halmstad. E kam filluar futbollin në moshën 10 vjeçare. Ftesa nga Shqipëria ishte një kënaqësi e madhe sepse kjo është edhe hera ime e parë këtu. Nuk kam marrë pjesë më parë në grumbullime të tilla por kam qënë vetëm tek Halmstad, dhe duhet të them se jam shumë i kënaqur. Idhulli im është Kristiano Ronaldo, një lojtar shumë i mirë dhe shumë i kompletuar. Ëndrra ime? Të bëhem nga lojtarët më të mirë në botë dhe të fitoj Topin e Artë”.