Shqipëria luan ndeshjen e parë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” ndaj Italisë - FSHF

Shqipëria luan ndeshjen e parë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” ndaj Italisë

Shqipëria debutoi mbrëmjen e sotme në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” ndaj Italisë. Në stadiumin e Dortmundit fituan Kampionët e Europës në fuqi me rezultatin 2-1. Golin e vetëm për kuqezinjtë e shënoi Nedim Bajrami.

Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar sfidën ndaj Italisë: Thomas Strakosha, Elseid Hysaj, Berat Gjimshiti (C), Arlind Ajeti, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Taulant Seferi dhe Armando Broja.

Sfida nisi në mënyrë perfekte për Shqipërinë që gjeti rrugën e rrjetës që në sekondën e 23-të me Nedim Bajramin. Një gol rekord dhe historik, pasi është më i shpejti në një Kampionat Europian.

Italia barazoi rezultatin në minutën e 11-të me Bastonin, i cili e dërgoi topin në rrjetë pas një goditjeje me kokë nga brenda zonës. Kampionët e Europës në fuqi përmbysën rezultatin në minutën e 16-të me Barella. Pjesa e parë u mbyll 2-1.

Fraksioni i dytë nisi me kuqezinjtë më kërkues në fushën e lojës. Trajneri Silvinjo kreu dy zëvendësimet e para në minutën e 68-të. Nga loja dolën Asani e Seferi dhe u aktivizuan Arbër Hoxha e Qazim Laçi. Edhe në minutat në vijim u aktivizuan Rey Manaj dhe Ernest Muçi.

Shqipëria pati mundësinë e artë për të barazuar rezultatin në minutën e 90-të me Rey Manajn. Sulmuesi kuqezi kontrolloi mjaft mirë topin dhe i vetëm përballë portierit u ndal nga Donnarumma. Edhe në minutat shtesë një rast i mirë u shpërdorua nga Mario Mitaj. Në fund ndeshja në stadiumin e Dortmundit u mbyll me fitoren e Italisë 2-1.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e dytë në Kampionatin Europian “Gjermani 2024” më datë 19 qershor ndaj Kroacisë në stadiumin e Hamburgut, në ora 15:00.