Shqipëria luan miqësoren e parë të marsit ndaj Kilit - FSHF

Shqipëria luan miqësoren e parë të marsit ndaj Kilit

Shqipëria luajti mbrëmjen e sotme ndeshjen e parë miqësore ndaj Kilit. Në stadiumin ‘Ennio Tardini’ të Parmës, kuqezinjtë u mundën me rezultatin 3-0.

Trajneri Silvinjo hodhi në fushë këtë formacion: Thomas Strakosha (GK), Elseid Hysaj, Enea Mihaj, Berat Gjimshiti, Mario Mitaj, Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Taulant Seferi, Rey Manaj.

Kilianët ishin të parët që kaluan në avantazh me Vargas, i cili u asistua nga Davila. 1-0 për Kilin në minutën e 20-të. Kuqezinjtë mundohen të reagojnë shpejt me Asanin, i cili gjen hapësirë për të goditur, por gabon. Më pas është Seferi i cili harkon në zonë për Manajn, por ky i fundit nuk arrin të devijojë me kokë para portierit kilian.

Edhe Ramadani tenton duke gjuajtur nga rreth 25 metra, por topi devijohet në këndore. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin 1-0 për Kilin.

Në fraksionin e dytë, trajneri bën disa zëvendësime, fillimisht me Laçin, i cili futet në fushë në vend të Ylber Ramadanit. Më pas janë Asani dhe Manaj, të cilët i lënë vendin Arbnor Muçollit dhe Armando Brojës.

Kristjan Asllani pati një rast shumë të mirë në të 70-ën, duke goditur një predhë nga distanca, por topi përfundon jashtë kuadratit. Të tjera zëvendësime te kuqezinjtë, me Muçin dhe Arbër Hoxhën, të cilët zënë vendin e Bajramit dhe Seferit. Kilianët shënojnë edhe dy gola të tjerë në minutat 84’ dhe 93’, duke vulosur rezultatin në 3-0.

Kjo ishte ndeshja e parë miqësore e Shqipërisë, në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian ‘Gjermani 2024’. Kuqezinjtë do të luajnë një tjetër miqësore të hënën, ndaj Suedisë, në stadiumin ‘Friends Arena’ duke nisur nga ora 19:00.