Shqipëria dhuron spektakël ndaj Lihtenshtejnit, trimfon 3-0 me golat e Brojës, Asanit & Muçit - FSHF

Shqipëria dhuron spektakël ndaj Lihtenshtejnit, trimfon 3-0 me golat e Brojës, Asanit & Muçit

Shqipëria dominoi, dhuroi spektakël dhe triumfoi në ndeshjen e parë miqësore ndaj Lihtenshtejnit me rezultatin e thellë 3-0. Një ndeshje shumë e mirë e kuqezinjve në stadiumin “Haladas Sportkomplex”, teksa golat i shënuan Armando Broja, Jasir Asani dhe Ernest Muçi.

Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Lihtenshtejnit: Etrit Berisha (C), Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Mario Mitaj, Kristjan Asllani, Klaus Gjasula, Nedim Bajrami, Jasir Asani, Arbër Hoxha dhe Armando Broja.

Shqipëria dominoi takimin që nga minuta e parë, teksa kuqezinjtë u hodhën në sulm për të gjetur menjëherë rrugën e rrjetës. Rasti i parë i rrezikshëm u regjistrua në minutën e 7-të. Klaus Gjasula goditi nga brenda zonës por pa sukses. Më pas ishte radha e Asllanit, i cili në minutën e 15-të shmangu mbrojtësin kundërshtar, por goditja përfundoi jashtë.

Jasir Asani i shkoi shumë pranë golit në minutën e 28-të, por gjuajtja e sulmuesit u devijua nga portieri i Lihtenshtejnit. Shqipëria gjeti golin në minutën e 31-të me Armando Brojën. Bajrami shërbeu saktë për sulmuesin kuqezi i cili i vetëm përballë portierit e pati të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për Shqipërinë.

Fraksioni i dytë nisi me tre zëvendësimi për Shqipërinë. Trajneri Silvinjo aktivizoi Qazim Laçin, Enea Mihajn dhe Ernest Muçin. Ndërsa Jasir Asani realizoi një “perlë” nga goditja e dënimit, duke e çuar rezultatin në shifrat 2-0.

Në minutën e 62-të trajneri Silvinjo kreu edhe dy zëvendësime të tjera. Në fushën e lojës u aktivizuan Marash Kumbulla dhe Rey Manaj. Shqipëria shënoi golin e tretë në minutën e 67-të me Ernest Muçin. Laçi pasoi saktë drejt zonës dhe topi fillimisht u godit nga Asani por u ndal në shtyllë, ndërsa Muçi menjëherë përfitoi për ta dërguar në rrjetë.

Në minutën e 76-të debutoi me ekipin e parë edhe Medon Berisha. Ndërsa kuqezinjtë deri në minutën e fundit dominuan kundërshtarin dhe patën edhe disa raste të tjera shënimi. Ndeshja e e parë miqësore përfundoi 3-0 për Kombëtaren kuqezi.

Shqipëria do të luajë edhe një tjetër ndeshje miqësore para finaleve të “Euro 2024”. Kuqezinjtë do të përballen me Azerbajxhanin më datë 7 qershor në orën 19:00, sërish në stadiumin  “Haladas Sportkomplex”.