Shpërndahen certifikatat e “UEFA Football Doctor Education”, pjesëmarrësit vlerësojnë nivelin e kursit - FSHF

Shpërndahen certifikatat e “UEFA Football Doctor Education”, pjesëmarrësit vlerësojnë nivelin e kursit

Është përmbyllur me ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave kursi i mjekësisë sportive “UEFA Football Doctor Education”, që u organizua nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe ku morën pjesë 40 mjekë e fizioterapistë të rinj.

Programi i bërë në bashkëpunim me UEFA-n është udhëhequr nga drejtuesit e Sektorit të Mjekësisë Sportive në FSHF, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli së bashku me lektorë të njohur nga Italia dhe Shqipëria në fushën e mjekësisë sportive.

Në ditën e fundit të kursit ishte i ftuar edhe Drejtori Teknik i FSHF-së, Fulvio Pea, i cili është shprehur mjaft i kënaqur me këtë kurs formimi dhe me nivelin e treguar nga pjesëmarrësit, të cilët kanë qenë mjaft aktivë dhe janë përfshirë në diskutime gjatë gjithë kohës.

Pea theksoi se kurse të tilla janë shumë të rëndësishme për rritjen profesionale të atyre që punojnë në fushën e mjekësisë sportive dhe stafet e ekipeve të futbollit.

Kurse të tilla janë shumë e rëndësishme për rritjen profesionale të elementëve të çdo stafi sepse i japin cilësi stafit teknik dhe skuadrës në punën e përbashkët. Kështu që këtë herë mora pjesë në këtë kurs dhe ishte interesante të shihja pjesëmarrësit që ishin shumë aktivë dhe përfshiheshin në diskutime mjaft konstruktive.

Investim në kurse të tilla formimi është thelbësor dhe shumë i rëndësishëm, sepse këta do të jenë doktorët, fizioterapistët, trajnerët e të nesërmes, pra është një shkollë që ka shumë vlera dhe që do të ketë më shumë hapësira. Kjo me siguri do të formojë në mënyrë cilësore profesionistët e futbollit, është një iniciativë e bukur”, tha Drejtori Teknik në një prononcim për Fshf.org.

Edhe disa prej pjesëmarrësve në programin “UEFA Football Doctor Education” kanë folur për eksperiencën e tyre në këtë kurs dhe e vlerësojnë si mjaft të vlefshëm për t’u përmirësuar në fushën e mjekësisë sportive.

“Unë jam mjeke e përgjithshme, është hera e parë që marr pjesë në një trajnim për mjekësinë sportive. Më duhet të them se ishte shumë interesante dhe një pasqyrim i detajuar e praktik i leksioneve, një prezantim shumë i mirë i mjekësisë sportive. Jam shumë e lumtur që mora pjesë, duke qenë se jam në një fazë të përzgjedhjes së specialitetit, më ka ndihmuar në pjesën e specialitetit që dua të praktikoj. Dëshiroj shumë që të vazhdoj akoma më tej të marr informacione të reja dhe të zhvilloj njohuritë e mia në këtë aspekt mjekësor.

Kursi i FSHF-së ishte i organizuar shumë mirë nga të gjitha tematikat që u prekën, ishte shumë praktik, që do të thotë se u njohëm shumë mirë me realitetin e mjekësisë sportive, atë që ndodh çdo ditë në fushë dhe situatat me të cilat përballen mjekët më shpesh gjatë kësaj pune. Ishte konciz dhe lektorët arritën të transmetonin pikat thelbësore që ne duhet të kemi parasysh për ta praktikuar siç duhet këtë specialitet”, – thotë Rexhina Marku, pjesëmarrëse në kursin UEFA Football Doctor Education për Fshf.org.

Erjon Hysenaj është një fizioterapist nga Kosova i cili mori pjesë në këtë program dhe u shpreh se ky kurs formimi do ta ndihmojë në rritjen e tij profesionale në vazhdim.

“Unë vij nga Prishtina dhe jam fizioterapist, punon me klubin e futbollit 2 Korriku. Kjo eksperiencë është shumë e rëndësishme për zhvillimin tonë profesional në vazhdimësi. Presim që të ketë më shumë kurse të tilla në të ardhmen, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë. Ky kurs do të ndikojë shumë për mua në aspektin e përvojës, sepse kemi mësuar shumë gjëra të reja, në mënyrë që këto dije të reja t’i praktikojmë në përditshmërinë tonë profesionale në fushën e futbollit dhe jo vetëm”, – tha Hysenaj, teksa pjesëmarrësi tjetër Roxhens Tomorri ka vlerësuar maksimalisht nivelin e programit në fushën e mjekësisë sportive.

“Jam fizioterapist dhe punoj me klubin e Apolonisë. Kam ardhur dhe ka qenë një kënaqësi për mua pjesëmarrja në këtë kurs formimi pasi ne na ka ndihmuar shumë, si në formimin profesional, ashtu edhe në kurrikulat tona. Për të gjithë fizoterapistët që janë pjesë e një klubi futbolli mendoj që është një nga kurset më të mira që është bërë për të arritur një rezultat shumë të mirë në mjekësinë sportive.

Ky nuk është i vetmi kurs që ne kemi marrë pjesë, kam qenë pjesë e një kursi pothuajse 1-vjeçar për mjekësinë sportive me FSHF-në. Është një kurs i domosdoshëm për stafin e mjekësisë sportive, pasi futbolli në Shqipëri është duke u rritur dhe mendoj se rritja profesionale e futbollistit vjen nga baza, nga përgatitja fizike, nga patologjitë që mund të marrin nga dëmtimet”, theksoi ai.

Në përfundim të kursit në ambientet e Shtëpisë së Futbollit në Tiranë u zhvillua edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave, që iu dhanë pjesëmarrësve nga Drejtori Teknik Fulvio Pea dhe doktor Stesina.