Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan mbledh Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, njihuni me vendimet - FSHF

Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan mbledh Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme, njihuni me vendimet

Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan ka zhvilluar sot punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme, ku u morën disa vendime të rëndësishme për aktivitetet futbollistike në këtë qark sportiv.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin 25 delegatë, të cilët përfaqësonin 19 anëtarët e shoqatës, të cilët diskutuan pikat e përcaktuara në rendin e ditës, që kishin të bënin me raportin e aktivitetit të Shoqatës, miratimin e pasqyrave financiare, miratimin e buxhetit për vitin 2024, miratimin e rregullores së veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025, zgjedhjen e delegatëve që do të përfaqësojnë SHRFF në asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së, si edhe pranimin për anëtarësim.

I pranishëm në punimet e Asamblesë ishte edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Abdyl Kuriu, i cili i uroi punime të mbarë anëtarëve të Shoqatës së Futbollit të Elbasanit dhe i garantoi mbështetjen e Federatës me projekte konkrete.

“Çdo vit, shohim një përmirësim në rritjen e ekipeve dhe numrit të fëmijëve që angazhohen në futboll, duke përfshirë edhe vajzat. Inkurajoj dhe përgëzoj përpjekjet tuaja në integrimin e tyre në botën e bukur të futbollit.

Federata Shqiptare e Futbollit është gjithmonë e gatshme të jetë në krahun tuaj për të mbështetur në çdo projekt që lidhet me avancimin e këtij sporti. Me kalimin e kohës, vit pas viti shohim përmirësime të ndjeshme dhe një zhvillim të madh të Shoqatave Rajonale të Futbollit në përgjithësi. Natyrisht ky produktivitet është fryt i bashkëpunimit të madh të FSHF-së me të gjitha Shoqatat”, – tha ndër të tjera Kuriu në fjalën e tij përshëndetëse.

Ndërkaq, kryetari i SHRF Elbasan, Ilirjan File në fjalën hapëse bëri një analizë të punës së bërë nga kjo shoqatë përgjatë vitit 2023, që nga aktivitetet e grup-moshës U-7 deri në atë të moshës U-17 pa harruar këtu futbollin e vajzave, në shkolla dhe futbollin 5×5.

Më tej, u vijua me rendin e ditës, teksa u miratuan pasqyrat financiare, buxheti për vitin 2024 si edhe rregullorja e veprimtarisë futbollistike për sezonin 2024-2025.

Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan zgjodhi si delegatë në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilirjan File, Albano Dushku dhe Lavdimir Bajrami.

Gjithashtu, Shoqata Rajonale e Futbollit Elbasan votoi pro kërkesës së Akademisë së Futbollit Milani për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të SHRFE.