Shënoi 66 gola në sezon, Valentina Troka fiton “Këpucën e Artë” të vajzave për vitin 2023 - FSHF

Shënoi 66 gola në sezon, Valentina Troka fiton “Këpucën e Artë” të vajzave për vitin 2023

Dy nga çmimet më të rëndësishme të mbrëmjes gala të FSHF ishin edhe “Këpuca e Artë 2023” për vajza dhe djem, trofe që jepet për golashënuesit më të mirë të vitit e që nuk kishin nevojë për votim, pasi ishin përcaktuar me golat e shënuar në fushën e lojës.

Këpuca e Artë 2023 për vajza i ka shkuar sulmueses së Aplonisë dhe ekipit Kombëtar A, Valentina Troka me 66 gola të shënuar sezonin e kaluar. Ishte anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, e cila i dorëzoi çmimin e veçantë Trokës.

Pas marrjes së çmimit, Valentina Troka u shpreh: “Ndjehem shumë e lumtur me këtë titull kaq të veçantë, që donte shumë mund dhe sakrifica. Falenderoj ekipin tim dhe vajzat që bënë maksimumin që unë të fitoj këtë çmim. Gjithashtu falenderoj edhe Federatën Shqiptare të Futbollit që u jep jetë ëndrrave tona me këto çmime”-u shpreh lojtarja e Apolonisë.