Seleksionimet e Përfaqësueseve Rajonale vijojnë në Elbasan, Fier, Korçë e Gjirokastër - FSHF

Seleksionimet e Përfaqësueseve Rajonale vijojnë në Elbasan, Fier, Korçë e Gjirokastër

Pas Tiranës e Durrësit, seleksionimet e futbollistëve të rinj të grupmoshave U-11, U-12 dhe U-13 që do të jenë pjesë e Përfaqësueseve Rajonale, kanë vijuar në katër zona të tjera të Shqipërisë. Trajnerët e të gjitha ekipeve kombëtare kanë zbarkuar përgjatë kësaj jave në qytetet e Fierit, Elbasanit, Korçës dhe Elbasanit, teksa kanë ndjekur nga afër lojtarët e vegjël të vitlindjeve 2009, 2010 dhe 2011, me qëllim, evidentimin e elementëve të rinj.

Vetëm në zonën e Fierit janë paraqitur rreth 158 futbollistë nga të treja këto grupmosha, përkatësisht, 63 futbollistë të vitlindjes 2009, 44 futbollistë të vitlindjes 2010 dhe 51 futbollistë të vitlindjes 2011. Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF, në bashkëpunim me Shoqatën Rajonale të Futbollit Fier kanë organizuar disa ndeshje për të tre këto grupmosha, teksa futbollistët e vegjël kanë treguar cilësitë e tyre në sy të trajnerëve të ekipeve të moshave të Kombëtares.

Sakaq, në seleksionimin e bërë në zonën e Elbasanit u paraqitën rreth 169 futbollistëve të këtyre tre vitlindjeve. Rreth 58 lojtarë të grupmoshës U-13 treguan cilësitë e tyre në ndeshjet e zhvilluara, ndërsa në seleksionim u paraqitën rreth 61 futbollistë të grupmoshës U-12 dhe 50 futbollistë të grupmoshës U-11. Në zonën e Korçës, u paraqitën rreth 110 lojtarë në seleksionim, ndërsa në Gjirokastër u paraqitën 66 futbollistë të rinj, teksa seleksionimet do të vijojnë sërish në këtë zonë në ditët në vijim.

Trajnerët e ekipeve Kombëtare do të zhvillojnë seleksionime edhe në Lezhë e Shkodër, teksa vlen të theksohet se ky proces është shumë i rëndësishëm në evidentimin dhe përzgjedhjen e elementëve të spikatur, në kuadër të përgatitjeve për turneun e ardhshëm të ekipeve përfaqësuese rajonale.