FSHF mbledh trajnerët e përfaqësueseve rajonale, kërkesë për përzgjedhje rigoroze të futbollistëve - FSHF

FSHF mbledh trajnerët e përfaqësueseve rajonale, kërkesë për përzgjedhje rigoroze të futbollistëve

Ditën e sotme në ambjentet e Federatës së Futbollit, Sekretari i Përgjithshëm Ilir Shulku dhe Drejtori Teknik, Dzemal Mustedanagic, kanë zhvilluar një takim me trajnerët e ekipeve përfaqësuese rajonale të Shqipërisë, si edhe me 8 përgjegjësit e zyrave rajonale të FSHF.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Drejtoria e Ekipeve Kombëtare, të cilët bashkarisht analizuan vitin 2019 dhe komunikuan strategjinë e FSHF për 2020, si edhe rëndësinë e procesit të seleksionimeve.

Zoti Shulku në fjalën e tij theksoi: “Ju falenderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë takim tepër të rëndësishëm të zhvillimit të Futbollit në vend. Gjithsecili prej nesh ka detyrën kryesore në evidentimin e talentëve dhe përkrahjen e tyre në përzgjedhjen e më të mirëve. Evidentimi i futbollistëve është një prioritet i FSHF. Trajnerët janë të pajisur me të gjithë bazën materiale dhe botimet profesionale të anës zhvillimore. Në procesin e seleksionimeve duhet të jemi shumë të saktë. Sa i përket përgatitjes së ekipeve përfaqësuese të rajoneve, duhet të ndiqni me përpikmëri programin e miratuar nga FSHF. Secili trajner në skuadrën e tij duhet të jetë një edukues shumë i mirë për fëmijët dhe të rinjtë.“