San Marino, miqësorja Nr.3 e kuqezinjve - FSHF

San Marino, miqësorja Nr.3 e kuqezinjve

Shqipëria, do të zhvillojë edhe një tjetër miqësore në fundin e edicionit futbollistik. Kundërshtari do të jetë San Marino dhe ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Serravalle”, të qytetshtetit të vogël, që ndodhet brenda Italisë, më datë 8 qershor në orën 20.30. Ky takim plotëson me tre miqësore, fushatën përgatitore që trajneri Xhani De Biazi, po programon për të përgatitur sa më mirë skuadrën, për eliminatoret e Kampionatit Europian “France 2016”.

 

Më 31 maj, Shqipëria do të luajë në Sion të Zvicrës, kundër Rumanisë në “Stade de Tourbillon”. Takimi i dytë miqësor, do të zhvillohet më 4 qershor, kundër Hungarisë në Hungari. Më 8 qershor, do të luhet edhe miqësorja e tretë në San Marino. Gjatë gjithë kësaj periudhe ekipi kombëtar, do të jetë i grumbulluar.

 

Kombëtarja e Shqipërisë, është ndeshur vetëm një herë me San Marinon në një ndeshje miqësore më 16 gusht 2006. Kuqezinjtë fitonin 0-3, pikërisht në stadiumin “Serravalle”, me gola të shënuar nga Tare (‘7), Skela (’28) dhe Lala (’32). Në atë kohë ekipi kombëtar, drejtohej nga Oto Bariç.