RISIA E FSHF, WORKSHOP NDËRKOMBËTAR MBI TË DREJTËN SPORTIVE DHE ARBITRAZHIN - FSHF

RISIA E FSHF, WORKSHOP NDËRKOMBËTAR MBI TË DREJTËN SPORTIVE DHE ARBITRAZHIN

Federata Shqiptare e Futbollit do të organizojë më datë 18 Janar 2019 një workshop ndërkombëtar me titull: “Sports law and arbitration: a practical perspective on selected legal issues” ,një risi që do t`i shërbejë profesionistëve të së Drejtës Sportive për të shkëmbyer eksperienca, praktika dhe ide lidhur me zhvillimet aktuale të jurisprudencës së CAS.

Kjo nismë e FSHF vjen si rrjedhojë e angazhimit që institucioni ka ndërmarrë për të sjellë pranë antarëve të saj zhvillimet më të fundit të drejtësisë sportive dhe praktikat ligjore sipas modeleve më të suksesshme europiane. Në këtë workshop, i cili është konceptuar me 4 panele diskutimore, do të jenë të pranishëm në rolin e referuesve avokatë me eksperiencë, gjyqtarë të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit Sportiv (CAS Lausanne) dhe drejtorë juridikë e disiplinorë të UEFA-s, të cilët do të trajtojnë tema specifike në mënyrë interaktive. Eventi do mbyllet me nje referim nga eksperti i së drejtës sportive Antonio Rigozzi mbi temën “Sports arbitration – quo vadis?”

Ky workshop, i cili do te mbahet ne gjuhen angleze, i drejtohet juristëve të klubeve antare, antarëve të trupave juridike të FSHF, si edhe ekspertëve ligjor të federatatave të rajonit, të ftuar në këtë event.