Qendra e Rehabilitimit në FSHF, gati për inaugurimin. Specialisti italian: Kushte moderne njësoj si Koverçano e Italisë! - FSHF

Qendra e Rehabilitimit në FSHF, gati për inaugurimin. Specialisti italian: Kushte moderne njësoj si Koverçano e Italisë!

Qendra e Rehabilitimit e FSHF-së që është ndërtuar në ambientet e Shtëpisë së Futbollit, po merr formë dhe brenda pak ditësh do të hapë dyert për t’i shërbyer futbollistëve dhe ekipeve Kombëtare të Shqipërisë me të gjitha shërbimet e nevojshme dhe më moderne.

Bëhet fjalë për një qendër moderne që ofron të gjitha kushtet, mjediset dhe aparaturat më të fundit e që vjen si në vazhdimësinë e investimeve madhore vitet e fundit të Federatës Shqiptare të Futbollit në drejtim të mjekësisë sportive, fizioterapisë e rehabilitimit të sportistëve apo edhe përgatitjes atletike. Përveç kurseve të formimit për profesionistët e mjekësisë sportive dhe përgatitësve atletikë, tashmë në Shtëpinë e Futbollit do të jetë edhe kjo qendër, që do të jetë në funksion duke nisur që nga grumbullimi i radhës i Kombëtares, e që pritet të sjellë një zhvillim edhe më të madhe në të ardhmen në këtë fushë.

Së fundmi në Qendrën e Rehabilitimit kanë mbërritur edhe disa pajisje mjekësore inovative për fizioterapinë dhe vlerësimin e performancës së sportistëve përmes partneritetit me kompaninë e njohur italiane “Medicaltools”, që ka sjellë në Tiranë edhe specialistët e saj për të trajnuar stafin e qendrës me përdorimin sa më efikas të këtyre aparaturave. Administratori i “Medicaltools”, Domenico Devito, shpreh kënaqësinë për këtë bashkëpunim me FSHF-në teksa shpjegon edhe procesin e trajnimeve që po zhvillohet me stafin shqiptar dhe specifikat e pajisjeve. “Jemi të nderuar që jemi partner dhe furnitorë zyrtarë të Federatës Shqiptare të Futbollit. Sot jemi këtu për të prezantuar përdorimin e aparaturave mjekësore që ne kemi sjellë. Them se ndihem i nderuar ngaqë si italianë kemi një lidhje të hershme me Shqipërinë dhe ne vijmë nga Pulja. Ku na u dha mundësia për këtë bashkëpunim u ndiem mjaft të lumtur dhe kemi bërë maksimumin për të dhënë më të mirën tonë. Tani po zhvillojmë një kurs formimi për aparaturat elektro-mjekësore për fizioterapinë, më pas do të vijojmë me pajisjet për riedukimin funksional, që është më shumë për përgatitësit atletikë. Pajisje që bëjnë të mundur vlerësimin dhe performancën e sportistit. Po përpiqemi që të marrim maksimumin nga teknologjia jonë e aparaturave. Ne jemi furnitorë edhe të disa skuadrave në Itali për pajisje mjekësore”, – tha Devito duke folur për Fshf.org.

Administratori i “Medicaltools” shpjegoi se bashkëpunimi ka nisur që në hapat e para të projektit dhe vlerësoi nismën e FSHF-së për të ndërtuar këtë qendër, duke e krahasuar me Koverçanon e Italisë për nga kushtet moderne që ofron.

Ne këtë qendër e kemi parë qysh në zanafillat e punimeve, kur ishte kantier. Kemi dhënë edhe sugjerimet tona, jemi dëgjuar dhe kjo na bën të lumtur. Mbi të gjitha kemi vënë re interesin dhe dëshirën për të bërë diçka inovative. Më lejoni të bëj një krahasim, unë këtë qendër e shoh njësoj si Koverçanon e Italisë, që është diçka e madhe kështu që komplimente për Federatën Shqiptare e Futbollit. Trajnimi që po bëjmë sot është për teknologjinë që kemi vënë në dispozicion, variantin më të ri të tekarterapisë, që është shumë e veçantë sa i përket përputhshmërisë së perfomancës, që është e përshtatshme edhe për osteopatinë. Më pas do të kemi edhe një trajnim për lazerin e veçantë me frekuencë të lartë e më pas për valët goditëse dhe elektromjekësore. Më pas do të bëjmë edhe një trajnim për elektromiografinë për analizimin e muskujve, që është një sistem tjetër për rehabilitimin e muskujve”, – theksoi Devito.

Ndërsa, anëtari i stafit mjekësor të Kombëtares, Arjan Llaperi, i cili është gjithashtu pjesë e Departamentit të Mjekësisë Sportive në FSHF, zbulon të gjitha shërbimet që mund të ofrohen për sportistët në këtë qendër, jo vetëm për rehabilitimin e sportistëve, por edhe për stërvitjen e tyre.

“Ndodhemi në Qendrën e Rehabilitimit në Shtëpinë e Futbollit, një qendër që po ndërtohet nga e para dhe ka si objektiv riaftësimin e sportistëve pas dëmtimeve, duke filluar nga terapia me anë të aparaturave, që siç shihet kemi ekipin italian për të trajnuar stafin e qendrës se si mund të përdorën sa më mirë. Kemi pastaj edhe pjesën e aparaturave logomotore të lëvizjes dhe do të kemi në dispozicion gjithashtu edhe fushat për të stërvitur futbollistët gjatë periudhës së rehabilitimit. Përveç rehabilitimit të sportistëve, qendra do të ofrojë edhe riaftësim dhe relaks për futbollistët. Për shembull pas një ndeshjeje të Kombëtares në pjesën e SPA-së do të ofrohet banjo turke, hamami, sauna, hidromasazhe, banjove termike me ujë të ngrohtë e të ftohtë, shërbime që nuk kanë qenë më parë. Gjithashtu, qendra do të përfshijë edhe palestrën, që do të ketë për përgatitjen fizike, jo vetëm të futbollistëve, por edhe atyre që kanë dëshirë të stërviten pranë qendrës tonë. Përveç kësaj, në zonën e SPA-së do të ketë edhe një ambient stërvitor i brendshëm që do të funksionojë kur kushtet atmosferike nuk e bëjnë të mundur stërvitjen jashtë në mënyrë që të mos mungojë asnjë shërbim në 365 ditë të vitit sa i përket rehabilitimit sportiv”, – thotë Llaperi, teksa thekson se FSHF ka bërë një investim shumë të madhe për t’i ofruar kushtet më moderne sportistëve. “Kjo është një nga qendrat më të mira të riaftësimit sot për sot, investimi është goxha dinjitoz dhe duhet falënderuar FSHF për këtë investim serioz dhe gjigand që ka bërë për rehabilitimin e sportistëve. Ne synojmë që përmes kësaj qendre t’u ofrojmë kushtet më të mira futbollistëve për t’u rikuperuar pas dëmtimeve sa më shpejt e që t’u rikthehen fushave në formë optimale. Duke qenë se aparaturat mjekësore janë marrë nga më të mirat dhe më të rejat që janë në qarkullim për fizioterapinë dhe rehabilitimin ishte e nevojshme që ekipi italian të vinte në Tiranë e ta na i shpjegonte këtu përdorimin e tyre, pasi janë pajisje inovatore. Kemi marrë pajisje për tekarterapinë, me valë goditëse që është për borsitet, lazerterapia, manjetoterapia, ultratingull dhe të gjitha pajisjet e nevojshme për rehabilitimin nga A-ja e deri te ZH-ja. Është i njëjti shërbim siç mund të ofrohet në vendet më të zhvilluara të botës sa i përket rehabilitimit”, – u shpreh Llaperi.

Pjesë e prezantimit të aparaturave mjekësore ishte edhe Claudio Centrone, specialist i përgatitjes atletike për “Medicaltools”, i cili ka shpjeguar edhe funksionin e aparaturave që pritet të japin një ndihmesë të madhe në drejtim të parandalimit të dëmtimeve muskulore.

“Jam trajner profesionist dhe punoj në pjesën e rehabilitimit dhe performancës. Për Medicaltools punoj si specialist i produktit ‘mDurance’ që është një elektromiograf dhe RIABLO, një sistem për vlerësimin funksional dhe rehabilitimin. Kjo është mDurance, një elektromiografi portative, që na jep mundësinë të vlerësojmë gjendjen momentale dhe një parashikim si mund të jenë muskujt e sportistëve. Kjo pajisje si në aspektin fizioterapeutik, por mbi të gjitha në aspektin e përgatitjes atletike mund do t’i japë një ndihmë shumë të madhe në vlerësimin dhe parandalimin e dëmtimeve por edhe rikuperimin e shpejtë të këtyre dëmtimeve. I jep mundësinë të shkurtojë ndjeshëm kohën e rikuperimit dhe rikthimit në fushë të sportistit. Ndërsa RIABLO na jep mundësinë të vlerësojmë gjendjen e futbollistëve para ndeshjeve nëse ka çrregullime muskulore dhe të punojmë në mënyrë parandaluese derisa këto çrregullime muskulore të zhduken”, tha Centrone.