Projekti “Talent & Mentor”/ Përmbyllet me sukses edicioni i dytë, gjashtë arbitra marrin certifikatën e vlerësimit - FSHF

Projekti “Talent & Mentor”/ Përmbyllet me sukses edicioni i dytë, gjashtë arbitra marrin certifikatën e vlerësimit

Është përmbyllur me sukses edicioni i dytë i projekti “Talent & Mentor” që organizohet nga Sektori i Arbitrimit në Federatën Shqiptare të Futbolli.

Ky projekt i rëndësishëm që zgjat dy vite konsiston në rritjen e cilësisë së arbitrave-talentë, krijimin e personalitetit të arbitrit, promovimin e arbitrave në elitë si edhe në përmirësimin e performancës. Në këtë projekt morën pjesë gjashtë arbitra, një vajzë dhe pesë djem të kategorive të ndryshme që u monitoruan nga katër mentorë dhe në përfundim morën edhe certifikatën e vlerësimit.

Të gjithë pjesëmarrësit morën pjesë në seminare praktike dhe teorike përgjatë këtyre dy viteve, ndërsa gjatë gjithë kohës patën mbështetjen e mentorëve, të cilët i ndoqën në aktivitete të ndryshme, nga kategoria e parë deri në ato të moshave.

Gjatë gjithë kohës arbitrat ishin të vëzhguar nga mentorët dhe në përfundim të çdo ndeshjeje analizohej performanca e arbitrit, ndërsa rastet diskutoheshin edhe në seancat teorike me anë të videove.

Pjesë e këtij programi ishin edhe testimet fizike dhe rregullorja e lojës ku gjithashtu mentorët jepnin ekspertizën e duhur. Në bazë të vlerësimeve të bëra javë pas jave talenti përpiqej të evitonte sa më shumë vendimet jo korrekte duke përmirësuar paraqitjen e tij.

Me përfundimin e këtij programi Sektori i Arbitrimit në FSHF u shpreh entuziast për ecurinë dhe rezultatet mjaft inkurajuese që vetë talentët shfaqën nga fillimi deri në përfundim të këtij projekti shumë të rëndësishëm.