“Prindërit janë shumë të kënaqur me projektin 'Uniforma Ime', redukton kostot e familjeve shqiptare“ - FSHF

“Prindërit janë shumë të kënaqur me projektin ‘Uniforma Ime’, redukton kostot e familjeve shqiptare“

Shpërndarja e bazës materiale falas për të gjitha klubet dhe akademitë e futbollit në vendin tonë, në kuadër të projektit madhor “Uniforma Ime“ po vijon me ritme të shpejta për klubet dhe akademitë që e kanë nisur aktivitetin e tyre për këtë sezon futbollistik. Ky është viti i dytë radhazi që fëmijët që luajnë futboll në të gjithë Shqipërinë nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 do të marrin setin me bazë materiale falas, pa shpenzuar asnjë qindarkë. Një set që konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Pas pajisjes me uniforma falas për fëmijët e akademisë KF Partizani, radha për t’u pajisur me uniforma falas ishte për fëmijët e akademisë KF Teuta. Eduard Salillari, Përgjegjës i Akademisë së Futbollit të KF Teuta shprehet në një intervistë për fshf.org se projekti “Uniforma ime“ është një ndihmë e madhe për fëmijët që luajnë futboll, teksa shton se prindërit janë shumë të kënaqur pasi redukton kostot e familjeve. Më tej Salillari shton se projekti i FSHF-së ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të fëmijëve për të luajtur futboll.

“Siç dihet, që vjet Federata mori këtë nismë “Uniforma Ime“ që është një nismë shumë e mirë për futbollin. Prindërit janë shumë të kënaqur, e thonë dhe e shprehin vetë që është një ndihmë e madhe për çdo familje, ndihmon buxhetin e familjes për uniformat e një viti për çdo sportist. Edhe tek afrimi i fëmijëve në futboll ka ndikuar.” – shprehet Eduard Salillari, Përgjegjës i Akademisë së Futbollit të KF Teuta.

“Uniforma Ime” redukton ndjeshëm kostot e familjeve shqiptare, që deri më sot kanë harxhuar mbi 23 mijë lekë për t’i siguruar fëmijëve që luajnë futboll uniforma stërvitjeje dhe loje, ndërsa nga edicioni i kaluar futbollistik e në vazhdim ky shpenzim për ta do të zerohet dhe do të përballohet nga FSHF.