PRESIDENTI DUKA VIZITON SKUADRAT E AKADEMISË "APOLONIA" DHE ECURINË E KURSIT "UEFA B" PËR RAJONIN E JUGUT! - FSHF

PRESIDENTI DUKA VIZITON SKUADRAT E AKADEMISË “APOLONIA” DHE ECURINË E KURSIT “UEFA B” PËR RAJONIN E JUGUT!

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka ka vizituar sot në ambjentet e Akademisë së futbollit “Apolonia”, skuadrat e moshave të këtij klubi përfshirë edhe ekipet e femrave të Apolonisë dhe Teutës që po përgatiteshin për ndeshjen e radhës. Në shoqërinë e Presidentit të klubit të futbollit “Apolonia”, Koço Kokëdhima, z.Duka takoi dhe pa nga afër të gjithë fëmijët e moshave të Akademisë, por edhe vajzat e dy skuadrave të futbollit në vigjilje të ndeshjes së tyre për kampionat.
Më tej, kreu i FSHF-së vëzhgoi në ambjentet e Akademisë së klubit edhe ecurinë e kursit të trajnerëve të nivelit “UEFA B”, kurs i cili prej disa ditësh po zhvillohet në Fier me të gjithë trajnerët e zonës së jugut. Në këtë bashkëbisedim të shkurtër me të gjithë trajnerët kursantë, president Duka theksoi: “FSHF ka ndër prioritetet e saj edhe edukimin dhe licensimin e të gjithë trajnerëve duke ardhur së fundmi këtu në Fier. Por të gjithë bashkë, dhe kryesisht ju, duhet ta ruani produktin tonë, futbollin. Ta mbështesni atë, duke mos e cënuar dhe baltosur. Gabimet nuk mund të shmangen por kjo lojë që përfshin edhe gabimet arbitrale që shpesh kontestoni, nuk duhet goditur por mbrojtur dhe përkrahur. Dhe këtë ju duhet ta kini gjithmonë një pikë referimi”,- theksoi president Duka. Edhe z.Kokëdhima nga ana e tij vlerësoi maksimalisht zhvillimin e këtij kursi edukimi për trajnerët e rajonit të jugut nga ana e FSHF-së duke evidentuar që angazhime dhe projekte të tilla duhen përshëndetur.