Presidenti Duka priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës Çeke në Shqipëri, z. Karel Urban - FSHF

Presidenti Duka priti në një takim pune Ambasadorin e Republikës Çeke në Shqipëri, z. Karel Urban

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka priti sot në një takim pune Ambasadorin e Republikës Çeke në Shqipëri, z. Karel Urban.

Gjatë këtij takimi Presidenti Duka dhe Ambasadori Urban diskutuan së bashku për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, por edhe për dy ndeshjet e ardhshme mes dy kombëtareve. Shqipëria dhe Republika Çeke janë në Grupin E të kualifikueseve të Europianit “Gjermani 2024” dhe në shtator do të zhvillohet ndeshja e parë në Pragë.

Ambasadori Urban vlerësoi rezultatet pozitive të Kombëtares shqiptare dhe rritjen e futbollit shqiptar, ndërsa Presidenti Duka nga ana e tij e siguroi se skuadra dhe tifozët çekë do të gjejnë një atmosferë të shkëlqyer dhe do ta kalojnë orë të bukura në Shqipëri me rastin e ndeshjes mes dy kombëtareve në Tiranë gjatë muajit tetor.

Në takimin ku merrte pjesë edhe anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, u fol edhe për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në të ardhmen veçanërisht në fushën e futbollit dhe mundësive për projekte bashkëpunimi. Në fund, Presidenti Duka i dhuroi Ambasadorit Urban edhe një fanellë të Kombëtares shqiptare.