Presidenti Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm Shulku, marrin pjesë në takimin e TEP dhe shortin e EURO 2020 në Bukuresht - FSHF

Presidenti Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm Shulku, marrin pjesë në takimin e TEP dhe shortin e EURO 2020 në Bukuresht

Presidenti i FSHF, Armand Duka dhe Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, kanë marrë pjesë në takimin e përvitshëm të Nivelit të Lartë Ekzekutiv të UEFA-s, që është zhvilluar në Bukuresht, më 29 Nëntor.

Në rendin e ditës së këtij takimi janë shqyrtuar çështje të rëndësishme për zhvillimin e futbollit Europian, në nivel klubesh dhe ekipeve kombëtare. Liga e Kombeve 20/21, implementimi i sistemit VAR në kompeticionet Europiane dhe ato kombëtare, promovimi dhe balancimi i futbollit të femrave me atë të meshkujve si dhe decentralizimi i vendimmarrjes në qeverinë Europiane të futbollit ishin nga temat kryesore ku pati diskutime dhe propozime nga federatat anëtare.

Pas mbledhjes së TEP, ditën e sotme Presidenti Duka ka marrë pjesë tek mbledhja e HatTrick, ku janë diskutuar projektet e paraqitura nga federatat anëtare.

Sonte në orën 18:00, delegacioni shqiptar ka ndjekur edhe shortin e Kampionatit Europian 2020, i cili u mbajt në Bukuresht. Nga federata jonë morën pjesë Presidenti, Armand Duka, Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku dhe Drejtori i Marëdhënieve Institucionale, Erand Ibrahimi.


Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka e ka përdorur pjesëmarrjen në ceremoninë e hedhjes së shorteut të Euro2020, për të siguruar ndihma për zonat e prekura nga tërmeti. Presidenti Duka, ka biseduar nga afër me Presidentin e UEFA-s Ceferin lidhur me situatën e emergjente në Shqipëri dhe i ka kërkuar mbështetjen e institucionit më të lartë të futbollit evropian. Kjo temë është diskutuar edhe me këshilltarin e lartë të UEFA-s, ish-futbollistin legjendar portugez, Luis Figo.
Presidenti Duka ka takuar disa nga homologët e tij, Presidentë të Federatave të vendeve evropiane dhe u ka kërkuar mbështetjen e tyre. Ata kanë marrë përsipër si hap të parë të shpërndajnë thirrjen për ndihmë të Shqipërisë në vendet e tyre.

Link: e-albania.al/donate/