Prag Islanda / Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj në konferencë për shtyp

Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e rradhës kualifikuese për Kampionatin Europian 2020, kundër Islandës në “Elbasan Arena”, në orën 20:45. Në prag të ndeshjes ka dalë në konferencën zyrtare për shtyp trajneri Edoardo Reja dhe kapiteni Elseid Hysaj.

Trajneri Reja në fjalën e tij theksoi se skuadra është gati për të dhënë më të mirën dhe se do të ketë ndryshime në formacion në krahasim me ndeshjen me Francën. “Me Islandën do të jetë ndeshja jonë më deçizive, kjo do të tregojë nëse do të vazhdojmë ëndrrën tonë europiane. Normalisht në rast se nuk fitojmë kjo gjë do na heqë shumë mundësi për t’u kualifikuar. Kemi tre ndeshje në shtëpi, duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë, do të na japë një shtysë shumë të fortë për kualifikimin. Kalendari na favorizon për të bërë më të mirën. Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën jashtë fushë. Nesër do të japim 200% për të marrë fitoren. Në ndeshjen nesër do të luajë Dermaku në vend të Mavrajt, pasi kështu kam menduar se mund t’i përgjigjemi më mirë skuadrës. Unë nuk mendoj se është skema ajo që kushtëzon paraqitjen në fushë, më shumë sesa interpretimi i duhur i saj. Unë preferoj vendosjen 3-5-2, pasi na jep mundësinë të luajmë me dy sulmues përpara dhe të mbrohemi mirë duke sulmuar. Sa i përket Roshit, është shumë i mirë në aspektin sulmues dhe në ndeshjen ndaj Moldavisë u fut mirë në lojë, duke na dhënë edhe fitoren. Ndaj Francës ai pati dy momente shpërqendrimi, më shumë sesa probleme vendosjeje, ndonëse duhet të pranojmë se nuk i shkon shumë përshtat faza mbrojtëse. Islanda është një kundërshtar me elementë pozitivë, por ne jemi në kushtet që mund t’i mposhtim. Nëse jemi të përqendruar dhe të bindur për sukses, atëherë do t’ia dalim. Unë mendoj se djemtë janë gati për të përballuar ndeshjen e nesërme dhe besoj shumë te fitorja. Ne po mundohemi t’i transmetojmë skuadrës besim dhe ta rritim nga ana mentale e psikologjike. Ka shumë rëndësi që në fushë të zbresim me bindjen se mund ta mposhtim kundërshtarin”.

Kapiteni Hysaj u shpreh se ai dhe e gjithë skuadra jep gjithmonë maksimumin kur zbret në fushën e lojës me fanellën kuqezi. “Të gjithë çunat vijnë këtu me qejf, për të luajtur me fanellën e Shqipërisë dhe për të dhënë më të mirën. Ndeshjet zgjatin 90 minuta dhe çdokush gabon minimalisht njëherë, por nuk jam dakord me ato sulme që vijnë nga pas kompjuterit. Ne nuk vijmë këtu për lekë, por për të dhënë maksimumin dhe këtë bëmë edhe në Francë. Nuk është dramë të humbësh me Francën, pasi 2-3 lojtarë të saj vlejnë më shumë se të gjithë ne. Shiriti? Unë jam i kënaqur që të mbaj shiritin, pasi është nder dhe përgjegjësi për mua, që të përfaqësoj vendin tim si kapiten. Besoj se në disa raste kam sjellë edhe fat, pasi kemi marrë fitore. Besoj se do t’ia dalim edhe këtë herë. Nesër besoj se do të arrijmë të shprehemi mirë dhe të marrim maksimumin. Kam besim te skuadra dhe jemi të karikuar për të dhënë më të mirën. Dihet që do të jetë një ndeshje e vështirë, por e gjithë skuadra ndjen se është momenti ynë nesër dhe se jemi gati të bëjmë një ndeshje shumë të bukur, për të marrë edhe fitoren. Kosova? Unë Kosovës i uroj shumë suksese. Ata kanë brenda zjarrin që patëm ne kur arritëm të shkojmë në Europian dhe u uroj që të vazhdojnë kështu”.