Përmbyllet me sukses kursi i parë i FSHF-së për skautët e futbollit, diplomohen 23 pjesëmarrës - FSHF

Përmbyllet me sukses kursi i parë i FSHF-së për skautët e futbollit, diplomohen 23 pjesëmarrës

Sektori i Edukimit në FSHF përmbylli me sukses edicionin e parë të kursit për skautët e futbollit. Një program formimi mjaft i vlefshëm e me një kurrikul shumë të pasur, ku morën pjesë shumë specialistë të fushës së futbollit, të cilët duan të jenë më pranë këtij sporti dhe të punojnë me klubet si zbulues talentesh.

Kursi i udhëhequr nga Sektori i Edukimit në FSHF nisi më 15 maj, i ndarë në 3 periudha dhe u mbyll sot me diplomimin e 23 kursantëve, teksa të pranishëm ishin edhe Drejtori Teknik, Fulvio Pea dhe drejtuesi Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova. Pjesëmarrësit kanë pasur mundësinë që të mësojnë një kurrikul të pasur me informacione rreth kësaj fushe dhe të marrin marrë njohuritë e duhura për të zhvilluar aktivitete në lidhje me vëzhgimin, analizën, vlerësimin dhe skautimin e lojtarëve dhe ekipeve teksa lektorët kanë qenë të shumtë.

Duke iu drejtuar të sapodiplomuarve, Drejtori Teknik, Fulvio Pea dhe drejtuesi i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova i uruan suksese në këtë kapitull të ri të karrierës së tyre dhe njëkohësisht vlerësuan edhe punën që po bën Federata e Futbollit përmes kurseve të ndryshme për të kualifikuar stafet teknike të klubeve shqiptare në të gjitha nivelet.

Në ceremoninë modeste të zhvilluar në stadiumin ‘Air Albania’, u shpërndanë edhe diplomat e Skautëve të Futbollit për 23 pjesëmarrësit nga Drejtori Teknik, Fulvio Pea.