Përgjegjësia sociale, FSHF mbështet ndeshjen e veçantë të personave me aftësi të kufizuar intelektuale nga Shqipëria & Italia - FSHF

Përgjegjësia sociale, FSHF mbështet ndeshjen e veçantë të personave me aftësi të kufizuar intelektuale nga Shqipëria & Italia

Përveç mbështetjes së përditshme të futbollit dhe zhvillimit të sportit më të dashur në botë kudo nëpër Shqipëri, FSHF është e fokusuar edhe në përgjegjësinë sociale që loja ka për të ndikuar pozitivisht në shoqëri.

Për t’u siguruar që do t’i shtojmë vlera pozitive shoqërisë, FSHF do të përdorë fuqinë e futbollit për të përmirësuar cilësinë e jetës së njerëzve, veçanërisht të kategorive të caktuara.

Në këtë kuadër Federata do të mbështesë organizimin e një ndeshjeje miqësore me pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuar intelektuale (PKI) nga Shqipëria dhe Italia, që do të zhvillohet në Tiranë.

Kjo ndeshje e veçantë Shqipëri – Itali është programuar të luhet më datën 1 korrik, duke nisur nga ora 18:00 në qendrën sportive “Tirana United”.

Kjo ndeshje është një iniciativë e organizatës ndërkombëtare “Faith and Light” dhe këtë herë do të marrin pjesë dy përfaqësuese nga Shqipëria dhe Italia, ndërkohë që në të ardhmen synohet organizimi i një eventi me pjesëmarrjen e më shumë skuadrave në formë kampionati.

Kjo organizatë ka si qëllimi të ndihmojë personat me aftësi të kufizuara intelektuale, miqtë dhe familjen e tyre, duke nxitur miqësinë, lutjen, festën dhe bashkëndarjen e ngjarjeve të mira dhe të vështira që kanë.

Federata ka mbështetur këtë organizim duke siguruar bazën materiale të lojtarëve, teksa ka ofruar mbështetje për vazhdimësinë e kampionateve të ardhshme te futbollit.