Përgatitjet për Europianin/ Kombëtarja U-17 në formë para turneut, mund Teutën U-19 në miqësore - FSHF

Përgatitjet për Europianin/ Kombëtarja U-17 në formë para turneut, mund Teutën U-19 në miqësore

Kombëtarja shqiptare U-17 ka nisur prej pak ditësh përgatitjet për eliminatoret e Kampionatit Europianit 2022-2023 me trajnerin Ervin Bulku që ka ftuar 23 lojtarë në këtë grumbullim.

Në kuadër të përgatitjeve Kombëtarja U-17 ka zhvilluar një miqësore me skuadrën e Teutës U-19 në kompleksin Tropikal në Durrës. Stafi teknik kuqezi e shfrytëzoi këtë test për të provuar formacionin e parë, por edhe lojtarët që pretendojnë një fanellë titullari. Kquezinjtë e nisën ndeshjen me këtë formacion: Dervishi, Bastari, Damini, Kurti, Selmani, Bakiu, Jaku, Belloi, Kashari, Metaj, Sulejmani.

Ekipi durrsak e nisi ndeshjen më mirë, duke kaluar në avantazh, por kuqezinjtë e morën veten dhe me kalimin e minutave arritën të barazonin me Arifin, i cili ishte futur ndërkohë në lojë si zëvendësues dhe më pas Krajka, një tjetër lojtar i ardhur nga stoli, realizoi dy gola për të fiksuar rezultatin përfundimtar në 3-1 për Shqipërinë U-17. Duhet theksuar se përveç fillimit, përfaqësuesja kuqezi arriti të dominonte ndeshjen, duke treguar një formë të mirë.

Trajneri Bulku i aktivizoi të gjithë lojtarët në këtë test dhe mori përgjigjet e duhura, duke parë edhe impenjimin maksimal të gjithë grupit. Kombëtarja U-17 do të vijojë deri më datë 18 tetor përgatitjet në Shqipëri e më pas do të udhëtojë drejt Kroacisë, ku do të luhen ndeshjet e eliminatoreve të Europianit për grupin.

Shorti e ka vendosur Kombëtaren shqiptare në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin me ndeshjet që do të zhvillohen në Kroaci në datat 20, 23 dhe 26 tetor 2022. Shqipëria U-17 do të luajë ndeshjen e parë ndaj Suedisë më 20 tetor me sfidën që nis në ora 11:00 dhe më 3 tetor do të përballet me Kroacinë (ora 13:00). Ndeshja e tretë dhe e fundit në grup e Shqipërisë do të jetë ajo ndaj Uellsit, e programuar më 26 tetor, ora 13:00.