Pas suksesit me Lihtenshtejnin, Shqipëria U-19 zbret në fushë për provën e radhës ndaj Turqisë në muajin shtator - FSHF

Pas suksesit me Lihtenshtejnin, Shqipëria U-19 zbret në fushë për provën e radhës ndaj Turqisë në muajin shtator

Pas dy miqësoreve të suksesshme me Lihtenshtejnin, Kombëtarja shqiptare U-19 zyrtarizon dy ndeshje të tjera miqësore për muajin shtator ndaj Turqisë. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat përkatëse kanë rënë dakord që këto dy takime miqësore të luhen në Turqi në muajin e ardhshëm.

Ndeshja e parë e kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Julian Ahmataj është programuar të luhet më 6 shtator në ora 16:00, ndërsa takimi i dytë është planifikuar të luhet dy ditë më vonë, më 8 shtator po në ora 16:00.

Kombëtarja kuqezi U-19 do të nisë grumbullimin direkt në Turqi më 2 shtator. Lista e lojtarëve të grumbulluar do të bëhet me dije në vijim nga trajneri Julian Ahmataj.

Pak ditë më parë, Shqipëria U-19 luajti dy miqësore kundër Lihtenshtejnit, ku siguroi dy fitore me goleada. Qëllimi kryesor i këtyre ndeshjeve miqësore është jo vetëm kolaudimi i grupit përfundimtar që do të impenjohet në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Europian U-19, ku kuqezinjtë do të synojnë kalimin në ‘Elite Round’, por edhe rritja e moralit të skuadrës dhe fryma për fitore.

Shorti i UEFA-s i ka pozicionuar kuqezinjtë në Grupin 11, së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut, teksa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 13, 16 dhe 19 nëntor 2024.

Në bazë të rregullores së UEFA-s, dy skuadrat e renditura në vendin e parë të çdo grupi do të avancojnë në “Elite Round” së bashku me skuadrën e tretë më të mirë në të gjitha grupet në këto kualifikuese, kurse faza finale e Europianit të moshës U-19 do të zhvillohet në Rumani në vitin e ardhshëm.