Organizohet dita e futbollit në rrugë - FSHF

Organizohet dita e futbollit në rrugë

Sektori i Futbollit të Fëmijëve dhe të rinjve në Federatën Shqiptare të Futbollit, zhvilloi dje në qytetin e Durresit, aktivitetin e përvitshëm me futbollistë të moshës 9-10 vjeç. Në të, morën pjesë rreth 150 fëmijë të inkuadruar në skuadrat rajonale të Durrësit. Aktiviteti u zhvillua përgjatë gjithë ditës, në tri fusha të ndertuara në shetitoren kryesore të qytetit, ç’ ka bëri që interesi për të, të jetë i madh nga ana e qytetarëve.

Zyra  Rajonale e Futbollit në Durrës, në bashkëpunim me sektorin përkatës në Federatën Shqiptare të Futbollit, zhvillon kampionatin rajonal, jo vetëm me këto mosha por me te gjithe ciklin deri tek kategoria e të rinjve. Përgjatë gjithë vitit, zhvillohen edhe aktivitete të tjera, të cilat e bëjnë futbollin shumë të rëndësishëm dhe të ndjekur, jo vetëm nga fëmijët por edhe nga grupmosha të tjera. “Aktiviteti i organizuar, ka qenë një mesazh sensibilizues, për një qytet të vjetër, historik dhe me shumë traditë në futboll. Organizime të tilla, në ambiente publike rrisin dëshirën e fëmijëve për lojën e futbollit dhe i lidhin gjithnjë e më shumë ata me këtë lojë magjike. Krahas këtij organizimi, sipas udhëzimeve të projektit “Grassroots”, FSHF do të vazhdojë me një seri aktivitetsh të tjera të cilat, synojnë, të mbledhin rreth futbollit sa më shumë fansa”, deklaroi shefi i Sektorit të Futbollit të Fëmijëve dhe të rinjve, Millan Baçi.