“Ndiqni ëndrrat & pasionin tuaj në futboll!” Ja mesazhet e vajzave të ekraneve televizive për të gjithë të rejat - FSHF

“Ndiqni ëndrrat & pasionin tuaj në futboll!” Ja mesazhet e vajzave të ekraneve televizive për të gjithë të rejat

Futbolli i vajzave është një nga prioritetet kryesore të FSHF-së dhe në këtë drejtim promovimi dhe nxitja e vajzave e grave për t’u angazhuar në futboll me ekipet shqiptare mbetet një sfidë e vazhdueshme për qeverinë e futbollit shqiptar. Për këtë qëllim FSHF organizoi një takim me gazetaret dhe moderatoret televizive, si një mënyrë e mirë për t’i njohur ato me punën që FSHF po bën në këtë drejtim dhe për t’i ndërgjegjësuar, sepse ato janë zëri më i mirë për të shkuar te vajzat shqiptare kudo nëpër Shqipëri dhe te prindërit e tyre, që të binden se vajzat e tyre mund të luajnë futboll.

Disa prej tyre dhanë edhe impresionet personale për mënyrën se si e shohin zhvillimin e futbollit të vajzave dhe vlerësuan punën që po bëhet nga FSHF në këtë drejtim. Moderatorja njohur e TV KLAN, Orinda Huta u bëri thirrje vajzave të cilat e kanë pasion futbollin dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.

“E vlerësoj punën që është bërë me vajzat dhe futbollin e vajzave dhe grave në Shqipëri. Edhe ky event është një shtysë më tepër për ta promovuar, për t’i njohur edhe më të tepër dhe për t’i dhënë më tepër zë punës së tyre të bukur. Megjithatë, kam edhe një gjë tjetër që e kam hasur gjatë punës time. Unë inkurajoj vajzat e skuadrave që të jenë më prezente nëpër intervistat televizive, të kenë besimin për t’u shfaqur edhe që ne t’i japim zërin e duhur, sepse duhet patjetër që të kenë një shtytje nga FSHF. Çdo sport është si për vajza dhe për djem, secili prej tyre duhet ta çojë pasionin përpara me punë dhe përkushtim dhe pse jo, ta ngrejë lart edhe emrin e Shqipërisë në këtë sport”, tha Orinda Huta duke folur për Fshf.org.

Në të njëjtën linjë edhe dhe modetarja e “Ora News”, Roza Lati, e cila gjithashtu premtoi se do t’i ndjekë me shumë vëmendje edhe ndeshjet e futbollit të vajzave në të ardhmen. “Vajzat që e kanë ëndërr dhe pasion sportin e futbollit, unë personalisht Roza Lati ju sugjeroj e ju këshilloj ta ndiqni ëndrrën tuaj, sepse Shqipëria tanimë është e përfshirë dhe i përkrah vajzat futbolliste dhe çdo gjë është e mbuluar nga FSHF. Është e mundur të realizohet kjo ëndërr dhe të jenë të kënaqura edhe vajzat dhe familjet e vajzave që janë shtysa më e madhe. Kështu që “just go for it”! Unë jo vetëm që do vij ti ndjek ndeshjet e vajzave, por do t’i ftoj edhe në emisionin tim ‘Why not’”, – u shpreh Roza Lati.

Gazetarja Gerta Heta theksoi se prindërit shqiptarë duhet të jenë mbështetës dhe nëse vajzat e tyre kanë pasion futbollin, t’i nxisin ato që të angazhohen me ekipe futbolli, pasi kështu do të jenë edhe më të shëndetshme.

“Unë jam prezantuar me futbollin e vajzave në ndeshjen inauguruese të stadiumit “Air Albania” midis Vllaznisë dhe Apolonisë. Kemi ardhur familjarisht, unë kam dy vajza vetë dhe kemi parë ndeshjen. Jam impresionuar dhe jam bërë tifoze e Vllaznisë që nga ajo kohë. Do të doja shumë që prindërit t’i shtyjnë më shumë vajzat drejt futbollit. Është vërtetë sport luftarak, por është sporti ekipor, është disiplinë e mirë, e mban fizikun në gjendje të mirë, krijon vetëbesim. Nëse vajza ime do të dojë të luajë futboll, patjetër që do ta mbështes që ajo të luajë futboll. Angazhojini fëmijët në sport sepse vetëm të mira ka”, – tha Gerta Heta.

Takimi i organizuar nga FSHF-ja është vlerësuar edhe nga moderatoja e njohur e “News 24”, Eni Vasili, e cila u shpreh e surprizuar nga informacioni që mori për futbollin e vajzave në Shqipëri dhe se është e rëndësishme që opinion publik të jetë mbështetës dhe të promovojë këtë iniciativë të shkëlqyer.

“Unë e ndjek pak futbollin dhe kam pasur pak informacion. Kështu që për futbollin e vajzave në Shqipëri nuk kisha informacion, nuk e dija që ishte i organizuar kaq mirë, kam menduar gjithmonë që kanë qenë skuadra sporadike aty-këtu dhe jo të organizuara në nivel kombëtar. Ishte shumë interesante të mësoja më shumë për futbollin e vajzave në Shqipëri përmes këtij takimi dhe pse jo t’i japim një mundësi vajzave nëpërmjet medias dhe informacioni të përcillet më gjerë në mënyrë që vajzat të cilat kanë dëshirë dhe këtë pasion për futbollin, pse jo të kenë mundësi të stërviten dhe të luajnë në nivel kombëtar. Është diçka shumë e bukur”, – theksoi Eni Vasili.

Për gazetaren Mira Kazhani futbolli nuk është më sport i burrave e djemve dhe se tashmë janë thyer tabutë dhe vajzat mund të jenë të suksesshme edhe në këtë sport, duke dhënë mesazhin e saj për të gjithë të rejat.

“Kisha informacion për futbollin e vajzave, ndoshta jo edhe aq shumë sa kam sot, sepse sigurisht takimet të tilla për këtë arsye bëhen dhe sidomos takimet nga afër, sepse çdo gjë e marrim në mënyrë virtuale tashmë. Është koha e vajzave të forta, kështu që shumë suksese dhe i pafshim në kampionate të rëndësishme. Futbolli nuk është sporti i djemve, nëse nuk gabohem ekipi i vajzave të futbollit të SHBA është më i mirë se ai i djemve. Kështu që futbolli gjithmonë ka qenë domen i burrave, i çunave, ka një dëshirë të madhe të shqiptarëve për t’i çuar fëmijët të gjithë për t’i bërë futbollistë, por fakti që po bëhen edhe vajzat futbolliste e po merren me këtë lloj sporti është shenjë karakteri në fakt, duhet karakter, forcë dhe më pëlqen. Nuk ka më tabu tani, po i rrëzojmë tabutë dhe sporti dhe arti, por edhe media, janë rruga më e mirë për t’i thyer tabutë”, – tha Mira Kazhani.