Nations League/ Vendos goli i Asllanit, Shqipëria mund Gjeorgjinë në Tbilisi - FSHF

Nations League/ Vendos goli i Asllanit, Shqipëria mund Gjeorgjinë në Tbilisi

Shqipëria fiton 1-0 ndaj Gjeorgjisë në Tbilisi. Në ndeshjen e vlefshme për Nations League, e luajtur në stadiumin “Mikheil Meskhi” vendosi goli i mesfushorit Kristjan Asllani. Një gol që i dha tre pikë shumë të rëndësishme Kombëtares shqiptare, që është në lojë për vendin e parë në grupin B1, që është edhe objektivi i kuqezinjve.

Ndryshe nga ndeshja me Çekinë, trajneri Silvinjo zëvendësoi tre emra, duke i besuar Balliut, Ajetit e Tucit vendin e titullarit, në vend të Hysajt, Kumbullës e Dakut. Tekniku i Kombëtares hodhi në fushë këtë formacion: Strakosha, Balliu, Ismajli, Ajeti, Mitaj, Ramadani, Asllani, Laçi, Bajrami, Asani, Tuci.

Kuqezinjtë e nisin mjaft mirë pjesën e parë, me Qazim Laçin i cili provon të gjejë rrjetën me një goditje nga jashtë zonës, por topi përfundon në duart e portierit gjeorgjian. Pak minuta më vonë, edhe Ismajli tenton portën, pas një goditje dënimi nga skuadra jonë, por sërish është Mamardashvil ai i cili shpëton vendasit.

Edhe gjeorgjianët tentojnë të na befasojnë në disa raste gjatë pjesës së parë, por pa rezultat. Një mundësi të mirë pati edhe sulmuesi i ri, Indrit Tuci, i cili u asistua nga Jasir Asani, por topi i goditur nga ai përfundon në duart e portierit kundërshtar. Asllani tenton portën nga distanca në minutën e 16-të, por pa fat.

Dyshja Asani – Balliu kombinohen mjaft bukur me njëri-tjetrin, me mbrojtësin i cili nis sferën në qendër, por nuk përfundon në shënjestrën e dëshiruar. Laçi humb një mundësi të mirë në minutën e 34-t, pas një asisti të Asllanit, por nuk e kontrollon si duhet topin. Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e bardhë 0-0.

Fraksioni i dytë nis në mënyrë fantastike për Shqipërinë, pasi Kristjan Asllani kalon në avantazh kuqezinjtë me një super gol në minutën e 48-të. Aksioni nis nga këmbët e Nedim Bajramit, i cili driblon mjaft bukur kundërshtarët, pason për Tucin në qendër, i cili i gjendur me shpinë nga porta asiston për Asllanin. Ky i fundit godet direkt portën dhe e çon topin në rrjetë duke na dhënë epërsinë.

Kuqezinjtë patën edhe dy raste të tjera mjaft të mira në vijim me Asanin e Bajramin. Asani provon vetë të futet nga e djathta në zonën kundërshtare, por nuk ia del. Ndërsa Nedim Bajrami asistohet nga Asani në qendër, por 10-ta e Kombëtares godet më fort se ç’duhet topin duke e dërguar mbi traversë.

Momenti i Mirlind Dakut vjen në minutën e 66-të. Sulmuesi zëvendëson asistuesin e golit, Indrit Tucin. Tre minuta pasi futet në fushë, Daku pati një shans për të dyfishuar shifrat. Asllani ekzekuton një goditje dënimi, duke e çuar topin në qendër, aty ku gjendet Daku. Ky i fundit devijon me kokë, por topi përfundon jashtë.

Minuta të vështira edhe për kuqezinjtë, pasi gjeorgjianët shfaqen të rrezikshëm herë pas here, në kërkim të golit të barazimit.

Zëvendësimi i dytë për Shqipërinë vjen në minutën e 77-të, me Nedim Bajramin që lë fushën dhe në lojë hyn Taulant Seferi. Ky i fundit pati një mundësi në minutën e 80-të, teksa niset në një kundërsulm nga e djathta, por nuk ia del para portës gjeorgjiane.

Në minutat e fundit, vendasit ushtrojnë mjaft presion dhe dominojnë, kërkojnë portën tonë por nuk ia dalin. Ndeshja mbyllet me rezultatin 0-1 për Shqipërinë.

Një fitore e rëndësishme, tre pikë shumë të vlefshme për kuqezinjtë të cilët qëndrojnë në lojë për objektivin: vendi i parë në grupin B1. Kombëtarja do të luajë dy sfidat e fundit të Nations League në muajin nëntor në stadiumin “Air Albania”, fillimisht kundër Çekisë (16 nëntor, ora 20:45) e më pas ndaj Ukrainës (19 nëntor, ora 20:45).