Nations League/ Shqipëria luan ndeshjen ndaj Çekisë në “Epet Arena” - FSHF

Nations League/ Shqipëria luan ndeshjen ndaj Çekisë në “Epet Arena”

Kombëtarja shqiptare luajti ndeshjen e radhës në Nations League ndaj Çekisë në stadiumin “Epet Arena”, sfidë që u mbyll 2-0 në favor të Çekisë.

Trajneri Silvinjo e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Çekisë: Thomas Strakosha (GK), Mario Mitaj, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Elseid Hysaj (C), Ylber Ramadani, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Nedim Bajrami, Jasir Asani dhe Mirlind Daku.

Ndeshja nisi më mirë për Çekinë që gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 3-të me Tomas Chory. Reagimi i parë i Shqipërisë erdhi në minutën e 23-të me Nedim Bajramin. Mesfushori kuqezi tentoi me një gjuajtje të bukur, por topi përfundoi jashtë.

Minutat në vijim ishin të barabarta, skuadrat u treguan të kujdesshme dhe pjesa e parë nuk prodhoi më gol.

Shqipëria e nisi me një tjetër ritëm pjesën e dytë. Kuqezinjtë ishin shumë pranë barazimit në minutën e 51-të me Jasir Asanin, por goditja e sulmuesit nga brenda zonës përfundoi jashtë.

Çekia realizoi golin e dytë në minutën e 63-të, sërish me Tomas Chory.

Trajneri Silvinjo kreu dy zëvendësimet e para, nga loja dolën Daku e Asani dhe u aktivizuan Tuci e Hoxha.

Asllani i shkoi shumë pranë golit në minutën e 76-të, por goditja spektakolare e mesfushorit kuqezi u ndal nga portieri.

Deri në fundin e ndeshjes për Shqipërinë u aktivizuan edhe Taulant Seferi dhe Ernest Muçi.

Kuqezinjtë provuan deri në fund për të shënuar gol, por pa sukses. Ndeshja u mbyll 2-0 për Çekinë.

Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës në Nation League më 14 tetor ndaj Gjeorgjisë (“Mikheil Meskhi”, ora 18:00).